Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres, përsëriti mbështetjen e tij për një zgjidhje me dy shtete të konfliktit izraelito-palestinez në një takim me presidentin e Izraelit Isaac Herzog, transmeton Anadolu.
Herzog u takua me Guterresin në New York si pjesë e vizitës së tij në SHBA.
Guterres theksoi nevojën për t’u përmbajtur nga çdo akt që mund të minojë zgjidhjen me dy shtete, tha në një deklaratë zëdhënësi i tij Stephane Dujarric.
Ai dënoi të gjitha aktet e terrorizmit dhe vuri në dukje se operacionet kundër terrorizmit duhet të kryhen në respekt të plotë të ligjit ndërkombëtar humanitar dhe ligjit ndërkombëtar për të drejtat e njeriut, thuhet në deklaratë.
Sekretari i Përgjithshëm gjithashtu ka dënuar të gjitha format e antisemitizmit.
Tensionet janë rritur në gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar në muajt e fundit mes bastisjeve të përsëritura të forcave izraelite në qytetet palestineze.
Gati 195 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i këtij viti, sipas Ministrisë palestineze të Shëndetësisë.
Të paktën 27 izraelitë janë vrarë gjithashtu në sulme të veçanta gjatë së njëjtës periudhë.