RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shkup, mbledhje komemorative në Kuvend me rastin e përvjetorit të gjenocidit në Srebrenicë

shkup,-mbledhje-komemorative-ne-kuvend-me-rastin-e-pervjetorit-te-gjenocidit-ne-srebrenice

Me rastin e 28-vjetorit të gjenocidit në Srebrenicë, është mbajtur mbledhje komemorative në Komitetin për Marrëdhënie mes Bashkësive në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, raporton Anadolu.

Në mbledhje morën pjesë kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut, Talat Xhaferi, kryetarja e Komitetit për Marrëdhënie mes Bashkësive në Kuvend, Arbana Pasholli, deputetja dhe anëtarja e Komitetit Sanela Skrijelj, deputetë, përfaqësues të organizatave joqeveritare dhe komunitetit boshnjak në vend, përfaqësues të korit diplomatik dhe të ftuar të tjerë.

Mbledhja filloi me një minutë heshtje për të respektuar viktimat e gjenocidit në Srebrenicë.

Xhaferi, në fjalimin e tij tha se e dënojnë dhe e emërojnë qartë si gjenocid i kryer në një periudhë të errët lufte në historinë e Ballkanit.

Sipas tij, pas luftës asgjë më nuk është ashtu siç ka qenë paraprakisht, “nuk mund të kompensohet zbrazëtia që mbetet nëpër rrugë, nëpër shtëpi, nuk zvogëlohet as dhimbja që zë rrënjë në kraharorët tanë”.

“E ndjeva këtë kur isha në Potoçari para disa viteve. E pamë edhe në sytë e refugjatëve kosovarë. E pash edhe para do kohe edhe në Ukrainë. Përditshmëria prej dite në ditë sjell lajme brengosëse në fqinjësinë e afërm dhe më të largët. Ne nuk mund ta fusim kokën në rërë dhe të sillemi sikur gjithçka është në rregull dhe atje diku, larg nesh”, theksoi Xhaferi.

“Të kujtojmë se kjo mund të ndodhë përsëri në rast se nuk zotohemi të drejtojmë shoqëri me të vërtetë të relaksuara, demokratike, ku sundimi i së drejtës dhe respektimi i lirive dhe të drejtave të njeriut, respektimi i të ndryshmëve dhe kujdesi ndaj më të dobëtëve dhe të pafuqishmëve është normë dhe rregull, dhe mbi të gjitha, është e natyrshme dhe standard”, shtoi ai.

Pasholli, nga ana e saj, tha se kujtojnë një ndër ngjarjet më makabre të ndodhura në kohët moderne të njerëzimit.

“Kujtojmë jetët e pafajshme, jetët e flijuara barbarisht në ngjarjet e masakrës të Srebrenicës. Kujtojmë trishtimin, dhimbjen, flijimin, lotët, plagët e trupit dhe të shpirtit. Kujtojmë anën e errët të njerëzimit, anën e egër, mizore dhe të pashpirt”, tha ajo.

Mes tjerash Pasholli theksoi se kanë përgjegjësinë që brezat e rinj t’i rrisin dhe edukojnë që të jenë të çliruar nga urrejtja, duke shtuar se “kujtojmë për të mos harruar, por edhe që të mos përsëritet më”.

– “Çdo nënë nga Srebrenica përfaqëson të gjitha nënat në botë”

Ndërkaq, Skrijelj, tha se sot shënojnë 28 vjet nga një prej disfatave më të mëdha të vlerave qytetëruese dhe, siç tha ajo, “një mësim që duhet të nxjerrim” 28 vjet nga krimi i tmerrshëm kundër njerëzimit.

“Srebrenica është pjesë e errët dhe e trishtuar e historisë, e cila nuk duhet të përsëritet kurrë. Është e vështirë të jetosh me këtë kujtim, është e vështirë të gjesh fjalë për të përshkruar dhimbjen dhe trishtimin që shkakton kjo ditë”, tha ajo.

Duke shtuar se ruajtja e paqes dhe vlerave demokratike kërkon angazhim serioz dhe të vazhdueshëm nga të gjithë, çdo ditë, Skrijelj tha: “Çdo nënë nga Srebrenica përfaqëson të gjitha nënat në botë. Ata që vranë mbi 8 mijë boshnjakë duan të vrasin gjithë njerëzimin dhe dinjitetin njerëzor”.

Kuvendi i Maqedonisë së Veriut më 4 shkurt 2010 miratoi një deklaratë në mbështetje të rezolutës së Parlamentit Evropian për Srebrenicën, ndërsa nga ajo datë çdo 11 korrik shënohet si “Dita e Përkujtimit të Gjenocidit në Srebrenicë” në vend.

Sot shënohet 28-vjetori i gjenocidit në Srebrenicë. Kujtojmë se më shumë se 8.000 meshkuj muslimanë boshnjakë u vranë në Srebrenicë pasi forcat serbe sulmuan “zonën e sigurt” të Srebrenicës në korrik të vitit 1995, pavarësisht pranisë së trupave holandeze të ngarkuara për të vepruar si paqeruajtës ndërkombëtarë.

Related posts

Egjipt, 9 të vdekur nga shembja e një ndërtese 4-katëshe

admin

Emërohet përbërja e re e Qeverisë së Federatës boshnjake-kroate

admin

Aksident me fatalitet në Viti

rezart morina