RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shqipëria përfshihet nga moti i keq, përmbytje në disa zona

shqiperia-perfshihet-nga-moti-i-keq,-permbytje-ne-disa-zona

Reshjet e dendura të shiut në orët e fundit kanë shkaktuar përmbytje dhe probleme të tjera në disa zona të Shqipërisë, transmeton Anadolu.

Në një njoftim nga Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë thuhet se në Qarkun e Shkodrës, reshjet intensive që ranë dje dëmtuan një segment rrugor, ndërkohë u evakuuan disa persona.

Ndërkohë, probleme nga moti i keq në orët e fundit raportohen edhe në bashkitë Lezhë, Kurbin, Fushë-Krujë, Mat dhe Durrës, me përmbytje në disa banesa dhe sipërfaqe të tokës bujqësore.

Në lidhje me situatën nga moti i keq ka reaguar edhe ministri i Mbrojtjes i Shqipërisë, Pirro Vengu, i cili në një reagim në rrjetet sociale ka theksuar se ekipet e emergjencave civile janë në veprim në 12-të qarqet e vendit, sipas tij për koordinimin e punës në përballimin e pasojave të reshjeve intensive të orëve të fundit.

“Forcat e Armatosura të Shqipërisë mbeten të angazhuara, së bashku me të gjitha strukturat lokale, qendrore dhe bashkitë, për normalizimin e situatës, sigurinë e banorëve dhe parandalimin e përshkallëzimit të mëtejshëm”, ka deklaruar Vengu.

Për situatën e shkaktuar nga moti i keq në vend ka reaguar edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shqipërisë, ku në një njoftim thekson se policia ka shtuar prezencën e shërbimeve në rrugë dhe në zonat e përfshira nga moti i keq.

“Nisur nga moti i keq me reshje të dendura shiu dhe stuhi, që ka përfshirë disa zona të vendit, Policia e Shtetit ka shtuar prezencën e shërbimeve policore dhe apelon për qytetarët që të shmangin lëvizjet e panevojshme, si dhe të tregojnë kujdes gjatë lëvizjes në rrugë, me automjete, motomjete apo me këmbë”, thuhet në një njoftim të policisë.

Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë ka njoftuar se gjatë javës priten reshje shiu me intensitet të lartë në të gjitha qarqet e vendit, të shoqëruara me shtrëngata dhe në zona të caktuara me reshje dëbore. Instituti i Gjeoshkencave të Shqipërisë (IGJEO) dhe Shërbimi Meteorologjik Ushtarak (SHMU) kanë bërë të ditur se në orët në vazhdim reshjet do të shtohen në të gjithë territorin e vendit.

Sipas një njoftimi nga Instituti i Gjeoshkencave, sot dhe nesër do të ketë reshje me intensitet të lartë në të gjithë vendin.

Related posts

Pse Irani druhet t’i përgjigjet një plani amerikan?

Irfan Jahiu

Rreth 55 mijë familje në Gaza të prekura nga reshjet e fundit, thotë OKB

RTI

Kovaçevski refuzoi nga Brukseli propozimin francez për heqjen e vetos bullgare

admin