RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Shtëpia e Bardhë bën thirrje për hetim për sulmin ndaj palestinezëve që prisnin ndihmën humanitare

shtepia-e-bardhe-ben-thirrje-per-hetim-per-sulmin-ndaj-palestinezeve-qe-prisnin-ndihmen-humanitare

Shtëpia e Bardhë ka kërkuar një hetim për sulmin vdekjeprurës nga Izraeli ndaj palestinezëve të kequshqyer që prisnin dërgimin e ndihmave humanitare në Rripin e Gazës, transmeton Anadolu.

“Ne mendojmë se kjo ngjarje e fundit duhet të hetohet tërësisht”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Olivia Dalton, në një konferencë për media.

Dalton tha se SHBA-ja ka qenë në kontakt me qeverinë izraelite për të mbledhur informacione rreth rrethanave që çuan në tragjedi.

“Kjo ngjarje thekson nevojën për ndihmë humanitare të zgjeruar për të hyrë në Gaza. Natyrisht, ngjarjet në Gazën veriore janë jashtëzakonisht alarmante dhe shqetësim i thellë për ne, thellësisht tragjike humbja e jetës njerëzore. Shumë jetë civilësh janë humbur si pasojë e operacioneve ushtarake në Gaza”, tha ajo.

Dalton tha se Washingtoni do të donte të shihte plane nga Izraeli për të ruajtur sigurinë bazë në zonat e operacioneve të tij.

“Sepse humbja e vazhdueshme e jetës është thellësisht alarmante dhe shumë, shumë tragjike”, theksoi ajo.

Ministria e Shëndetësisë me bazë në Gaza për Anadolu tha se numri i vdekjeve të palestinezëve të vrarë nga ushtria izraelite derisa mëngjesin e sotëm prisnin ndihmën humanitare është rritur në 112 dhe me gjasë do të vazhdojë të rritet.

Sulmi izraelit ndodhi në agim derisa qindra palestinezë po prisnin të merrnin ndihmën pranë zonës së rreth-rrotullimit al-Nablusi, në jug të qytetit Gaza.

Izraeli ka nisur një ofensivë vdekjeprurëse ushtarake në Rripin e Gazës që nga sulmi ndërkufitar i 7 tetorit nga Hamasi kur, sipas Tel Avivit, u vranë më pak se 1.200 njerëz.

Që atëherë, sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 30.035 palestinezë dhe kanë plagosur rreth 70.500 të tjerë në mes të shkatërrimit në masë dhe mungesës së nevojave themelore.

Sipas OKB-së, lufta izraelite ka çuar në zhvendosjen e brendshme të 85 për qind të popullsisë së Gazës mes mungesës akute të ushqimit, ujit të pastër dhe ilaçeve. Po ashtu 60 për qind e infrastrukturës së enklavës është dëmtuar ose shkatërruar.

Izraeli akuzohet për gjenocid në Gjykatën Ndërkombëtare të Drejtësisë, e cila në një vendim të përkohshëm në muajin janar urdhëroi Tel Avivin të ndalojë aktet gjenocidale dhe të marrë masa për të garantuar ofrimin e ndihmës humanitare për civilët në Gaza.

Related posts

Çavuşoğlu: Turqia dhe Afrika e Jugut ndajnë një të ardhme të ndritur

admin

Tre palestinezë vriten nga forcat izraelite në Bregun Perëndimor – VIDEO

rezart morina

Koeficientet për gjithë pjesëtarët e Policisë së Kosovës

admin