Sot Tel Avivi po nxit rikthimin e konfliktit si hakmarrjes ndaj Londrës
Përplasja e re diplomatike mes Britanisë dhe Izraelit, ka rikthyer në vëmendje një episod pothuajse të harruar të Luftës së Falklandeve. Dhe mbi të gjitha faktin se në vitin 1982 Izraeli furnizoi fshehurazi Argjentinën me armë, të cilat më pas u përdorën kundër ushtrisë britanike.
Sot marrëdhëniet mes Londrës dhe Tel Avivit po përkeqësohen sërish. Qeveria britanike po shqyrton masa të reja kundër Izraelit për shkak të politikës së vendbanimeve hebraike në Bregun Perëndimor, ndërsa zyrtarët izraelitë kanë paralajmëruar se do t’i përgjigjen çdo sanksioni të Londrës.
Në këtë klimë tensioni është rikthyer edhe debati për Ishujt Falkland. Djali i Benjamin Netanyahut, Yair Netanyahu, deklaroi së fundmi se ishujt i përkasin Argjentinës dhe jo Britanisë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump la të kuptohet se Uashingtoni mund të rishqyrtojë qëndrimin e tij ndaj sovranitetit britanik mbi territorin.
Por përplasja e sotme ka një precedent historik shumë më të rëndë. Gjatë Luftës së Falklandeve, Izraeli furnizoi diktaturën ushtarake argjentinase me avionë dhe armatime, pavarësisht marrëdhënieve tradicionalisht të afërta me Britaninë.
Më 2 prill 1982, ushtria argjentinase pushtoi Ishujt Falkland, duke shkaktuar një luftë 74-ditore me Britaninë. Konflikti përfundoi me fitoren britanike, por gjatë luftimeve dhjetëra ushtarë britanikë humbën jetën nga sulmet e kryera me armë dhe avionë të furnizuar nga Izraeli.
Dokumente të deklasifikuara të qeverisë britanike, zbuluan vite më vonë se Izraeli i kishte shitur fshehurazi Argjentinës avionë Skyhawk. Këta avionë u përdorën në bombardimet kundër forcave britanike, duke vrarë 48 ushtarë dhe marinarë britanikë dhe duke ndikuar në fundosjen e katër anijeve luftarake.
Sipas dëshmive të publikuara më vonë, furnizimet ushtarake transportoheshin nëpërmjet fluturimeve sekrete të mallrave, që kalonin nga Peruja drejt Argjentinës. Përveç avionëve, Izraeli i shiti Buenos Airesit raketa ajër-ajër, mina antitank, mortaja, mitralozë dhe pajisje të tjera ushtarake.
Po ashtu, Izraeli furnizoi Argjentinën me 20 avionë luftarakë Nesher të rikonstruktuar. Vlera totale e eksporteve ushtarake izraelite drejt Argjentinës gjatë luftës vlerësohet se arriti deri në 1 miliard dollarë.
Në atë kohë, qeveria izraelite i mohonte vazhdimisht këto furnizime. Edhe pse Londra arriti të zbulonte pjesë të operacionit sekret dhe zyrtarët britanikë nisën të rrjedhin informacionin në shtyp.
Dokumentet diplomatike tregojnë zemërimin e madh të Foreign Office ndaj Tel Avivit. Një prej zyrtarëve britanikë ankohej se Izraeli po dërgonte avionë në Argjentinë, ndërkohë që vazhdonte të mohonte çdo përfshirje.
Arsyeja kryesore ishte ekonomike dhe strategjike. Lufta u pa nga disa qarqe izraelite si një mundësi e shkëlqyer për të zgjeruar tregun e armëve në Argjentinë dhe në gjithë Amerikën Latine.
Por ekzistonte edhe një motiv politik. Marrëdhëniet mes kryeministrit izraelit të kohës, Menachem Begin, dhe qeverisë së Margaret Thatcher ishin përkeqësuar ndjeshëm. Britania kishte vendosur embargo ndaj shitjes së armëve për Izraelin pas pushtimit izraelit të Libanit në vitin 1982.
Qeveria e Begin e konsideronte furnizimin e Argjentinës si një mënyrë për të ushtruar presion ndaj Londrës, me shpresën se Britania do të ndryshonte politikën e saj ndaj Izraelit. Megjithatë, kjo strategji nuk dha rezultat.
Thatcher vazhdoi të mbante një qëndrim kritik ndaj politikës izraelite në territoret palestineze dhe Britania mbështeti Deklaratën e Venecias, përmes së cilës vendet evropiane shprehën shqetësimin për zgjerimin e vendbanimeve izraelite.
Katër dekada më vonë, historia duket se po përsëritet në një formë tjetër. Britania dhe Izraeli gjenden sërish në anë të kundërta për çështjen palestineze. Londra ka vendosur kufizime të pjesshme mbi eksportet e armëve dhe po shqyrton sanksione të tjera kundër politikës së vendbanimeve.
Nga ana tjetër, Izraeli ka paralajmëruar kundërmasa. Në këtë sfond, edhe çështja e Ishujve Falkland po rikthehet si një instrument presioni politik dhe diplomatik. tesheshi.com

