RTV AHIRETI
Agjërimi

SI TA FILLOSH PROJEKTIN TËND?

si-ta-fillosh-projektin-tend?

Përcaktimi i projektit nganjëherë vjen nga rruga e meditimit, mendimit dhe shikimit, por ka mundësi të vijë edhe me konsultim apo propozim.

Imam Buhariu, Allahu e mëshiroftë, tha: “Isha tek Is’hak ibën Rahavejh dhe disa të pranishëm thanë: ‘Çfarë mendoni për idenë që ta përmblidhni një libër të shkurtër për sunetet e Pejgamberit, lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin për të?!’ Kjo më mbeti në zemër dhe fillova me përmbledhjen e librit.”[1]

Imam Shafiu, Allahu e mëshiroftë, librin ‘Er-Risale’ e shkroi pasi që prej tij e kërkoi Abdurrahman ibën Mehdij.

Imam Sheukani, Allahu e mëshiroftë, librin e tij të njohur ‘Nejlul eutar munteka el-ahjar’ e shkroi shkaku i një konsultimi me dijetarin e tij.

Ekziston mundësia që projektin ta përcaktojë një fjalë që e dëgjon, si shembull, rasti i imam Dhehebiut, Allahu e mëshiroftë, që me kohën do të bëhet një nga dijetarët e mëdhenj të hadithit. Ai për mësuesin e vet Ilmudin El-Berzalij thoshte: “Ai ishte sebep që ma bëri të dashur kërkimin e hadithit, e pa shkrimin tim dhe më tha: ‘Bukurshkrimi yt është i ngjashëm me shkrimin e dijetarëve të hadithit.’ Kjo fjalë e tij ndikoi dhe la gjurmë tek unë.”[2]

Muhamed ibën Aufi tha: “Isha i vogël dhe lozja me top, kur papritmas topi ra në afërsi të El-Muafa ibën Imran El-Humusij. Shkova ta merrja dhe më tha: ‘Djali i kujt je?’

I thashë: Djali i Auf ibën Sufjanit.

Tha: ‘Babai yt ishte shoku ynë, së bashku me ne e kërkonte dijen dhe e shkruante hadithin. Më e hijshme për ty është ta ndjekësh rrugën e babait tënd se të merresh me lojën e topit.’

Shkova te nëna ime e lajmërova. Ajo më tha: ‘Biri im, e ka thënë të vërtetën, ai është shoku i babait tënd.’

Ajo m’i ndërroi rrobat, e mora ngjyrën e fletët dhe shkova tek mësuesi.

Më tha: ‘Shkruaj: përcjell Ismail ibën Ajash, prej Abdurab ibën Sulejman, i cili thotë: ‘Umu Derda shkroi në dërrasën time: Kërkojeni dijen në fëmijëri, që të punoni me të kur të rriteni. Çdonjëri atë që e mbjellë, ka për ta korrur’.”

Cili ishte rezultati i këtij projekti?

Fëmija i lartpërmendur, siç thotë imam Dhehebiu, u bë dijetar, hafëz, i përpiktë në dije, dijetar i hadithit të Humusit.

Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, thotë: “Nuk kishte si Muhamed ibën Aufi në dyzet vitet e fundit.”[3]

Nganjëherë ideja mund të vijë nga një person i cili ka më pak dije, andaj nuk duhet nënvlerësuar kjo, qoftë edhe nëse vjen nga ndonjë kafshë ose insekt.

Sulejmani, alejhi selam, përfitoi nga lajmi i hud-hudit (pupëzës) në ngritjen e një projekti të madh për thirrjen në fenë e Allahut, ndërsa rezultati përfundimtar ishte ajo që e tha mbretëresha e Sebe’e dhe na e rrëfen Kurani: “O Zoti im, me të vërtetë unë e paskam dëmtuar veten dhe tani, bashkë me Sulejmanin i dorëzohem Allahut – Zotit të botëve!” (En-Neml: 44)

Dijetari El-Kesaij, një nga dijetarët e njohur të gjuhës dhe gramatikës arabe, përfitoi nga milingona. Është cekur në biografinë e tij se kur filloi ta mësonte gramatikën iu duk shumë rëndë, derisa vendosi ta braktiste atë. Megjithatë një ditë u shtri në tokë të pushonte dhe e pa një milingonë që bartte ushqim dhe dëshironte ta kalonte murin. Secilën herë që hipte pak, binte poshtë, por nuk u dorëzua, ajo vazhdoi të përpiqej derisa në fund e arriti qëllimin e saj. El-Kesaij e mori një mësim të madh nga milingona, kjo e nxiti të vazhdonte në kërkimin e dijes derisa u bë imam në gramatikën e gjuhës arabe.

Nganjëherë mund të vijë ideja e projektit nga ndonjë situatë që njeriu ballafaqohet me të:

Ibën Hazmi, Allahu e mëshiroftë, autori i librit ‘El-Muhala’ u dallua në shkencën e fikhut. Ai për hapat e parë të tij në shkencën e fikhut, thotë: “Shkova të prezentoja në faljen e namazit të xhenazes, hyra në xhami dhe u ula pa i falur dy rekate për xhaminë.

Një burrë më tha: ‘Çohu dhe fali dy rekate për xhaminë.’ Atëkohë isha 26-vjeçar.

U ngrita dhe u fala.

Pas faljes së namazit të xhenazes hyra në xhami dhe shkova menjëherë t’i fali dy rekate për xhaminë. Por një burrë tjetër më tha: ‘Ulu, ulu! Nuk është tani koha e namazit.’

Ishte koha pas namazit të ikindisë.[4]

U largova prej aty i mërzitur. Mësuesit që më edukoi i thashë: ‘Më trego shtëpinë e dijetarit të mirënjohur të fikhut Ebu Abdullah ibën Dehun.’

Pasi që mbërrita te shtëpia e tij e njoftova për atë që më ndodhi dhe më këshilloi që ta mësoja librin ‘El-Muvata’ të imam Malikut. Menjëherë fillova ta lexoja para tij, pastaj edhe para dijetarëve të tjerë përgjatë tri vjetëve, deri sa arrita në atë gradë që të diskutoja për mesele shkencore.”[5]

Po ashtu Sibevejhi, dijetari i gjuhës dhe gramatikës arabe, e përvetësoi këtë fushë shkaku i një situate që u ballafaqua me të. Kjo ndodhi ishte pikënisja e tij për marrjen me dijen e gjuhës dhe gramatikës.

Ibën Kethiri në librin e tij ‘El-Bidaje ue Nihaje’ thotë: “Në fillim të kërkimit të dijes Sibevejhi i shoqëronte dijetarët e hadithit dhe ata të fikhut. Ai i diktonte në lexim dijetarit Hamad ibën Seleme. Një ditë i ndodhi që të gabonte gramatikisht gjatë leximit dhe dijetari nuk u pajtua me të. Sibevejhi në këtë rast tha: ‘Do të kërkoj dije në atë shkencë që nuk do të më gjesh gabime asnjëherë!’

Kështu filloi ta mësonte shkencën e gramatikës. Dijen e mori nga Halil ibën Ahmed, derisa u dallua në fushën e gramatikës arabe dhe u bë një nga dijetarët më të mëdhenj të gramatikës, nga ajo ditë e deri më sot, edhe pse jetoi vetëm tridhjetë e dy vjet. Disa të tjerë thonë që jetoi afër dyzet vjet.”[6]

Projekti yt mund të jetë edhe plotësim i një projekti që e ka filluar dikush tjetër. Në këtë nuk ka dëm, përkundrazi është bamirësi ndaj tjetrit.

Nga ato projekte që i ka filluar dikush dhe i ka mbaruar dikush tjetër janë:

Projekti i mbledhjes së Kuranit, atë e filloi Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, dhe më pas Othmani, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, i bashkoi njerëzit në një Mus’haf.

Imam Neveviu, Allahu e mëshiroftë, e filloi librin ‘El-Mexhmu’ sherh el-muhedheb’, në të e kulloi dijen e tij, libri i tij ishte siç thotë Ibën Kethiri: “Po të kishte caktuar Allahu që Neveviu ta përfundonte librin, do të ishte libër për dispozitat e fesë që nuk ka të ngjashëm me të dhe nuk ka shkruar askush libër si ky, por caktimi i Allahut ishte që të ndërronte jetë pa e përfunduar. Ai arriti ta shkruante deri te kapitulli i kamatës.”

Pastaj erdhi Tekijudin Es-Subkij e plotësoi atë që e filloi Neveviu, prej te kapitulli i kamatës e deri te kapitulli i falimentimit. Pastaj kaluan vite dhe shekuj derisa erdhi Muhamed Nexhib El-Mutiij, Allahu e mëshiroftë, e plotësoi përfundimisht dhe tërësisht.

Tefsiri El-Xhelalejn; këtë tefsir e filloi Xhelaludin El-Mehalij, prej sures Kehf deri te surja Nas. Më pas filloi prej te surja Fatiha dhe, pasi që e përfundoi, ndërroi jetë.

Pastaj erdhi Xhelaludin Es-Sujutij e vazhdoi plotësimin e tefsirit. Ai filloi prej te surja Bekare dhe e përfundoi deri te surja Isra. Me këtë u përfundua tefsiri i Kuranit plotësisht.

Edva el-bejan fi idahi el-Kurani bil Kuran; librin e filloi Muhamed El-Emin Esh-Shenkitij, Allahu e mëshiroftë, i cili arriti deri te surja Muxhadele, pastaj e plotësoi atë nxënësi i tij Atije Muhamed Es-Salim, Allahu e mëshiroftë.

Plotësimi i çlirimit të Kudsit; mbreti Nurudin Zenkij, Allahu e mëshiroftë, shpresonte që ai të jetë i cili do ta dëbonte ushtrinë e të krishterëve nga Kudsi, madje e kishte përgatitur një minber të madh për xhaminë Aksa kur ta çlironte. E filloi rrugëtimin e xhihadit, por ndërroi jetë para se ta përfundonte atë. Caktimi i Allahut ishte që më vonë të vinte një nga familjarët dhe pasardhësit e tij, Salahudin Ejub, Allahu e mëshiroftë, i cili do ta çlironte plotësisht Kudsin.

Nganjëherë mundet që më shumë se një person të jetë pjesëmarrës në një projekt. Abdurrahman ibën Kasim dhe djali i tij Muhamedi punuan bashkërisht në projektin e përmbledhjes së fetvave të Ibën Tejmijes, Allahu i mëshiroftë. Ata udhëtuan në shumë vende, si: në Nexhd dhe Meke, Irak, Siri, Liban, Egjipt dhe Paris, për t’i tubuar dorëshkrimet e Ibën Tejmijes dhe në fund libri doli nga shtypi në 37 vëllime.

Nganjëherë projekti mund të jetë shpirtëror dhe jo material sikurse projekti i Selman El-Farisiut, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të udhëtonte për ta kërkuar të vërtetën.

Po ashtu Zejd ibën Amru ibën Nufejl, i cili udhëtoi për në Sham që ta kërkonte fenë e vërtetë, derisa u udhëzua në fenë e pastër të Ibrahimit, alejhi selam.

 

Nga arabishtja: Irfan JAHIU

Dr. Muhamed el Munexhidi

Pjesë nga libri: “PROJEKTE PËR JETË AKTIVE (këshilla dhe ide)”

 

[1] Sijerul Ealam En-Nubela (12/401).

[2] Sijerul Ealam En-Nubela (1/36).

[3] Sijerul Ealam En-Nubela (12/613-615).

[4] Pas ikindisë nuk lejohet falja e namazit vullnetar të përgjithshëm, kurse namazi që ka shkak, si në këtë rast falja e dy rekateve për xhami, kjo lejohet. Ka edhe mendim që nuk lejohet të falet asnjë lloj namazi në këtë kohë, siç ka ndodhur edhe rasti me Ibën Hazmin, Allahu e mëshiroftë. (sh.p.)

[5] Sijerul Ealam En-Nubela (18/199).

[6] El-Bidaje ue En-Nihaje (10/176).

Related posts

DOBITË DHE ETIKA E AGJËRIMIT

rezart morina

ME TË VËRTETË PAS VËSHTIRËSIVE VJEN LEHTËSIMI

rezart morina

RREZIKU I DËGJIMIT TË MUZIKËS

admin