RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Sot fillon viti i ri shkollor në Kosovë

sot-fillon-viti-i-ri-shkollor-ne-kosove

Në arsimin paruniversitar të Republikës së Kosovës sot fillon viti i ri shkollor 2023/24.

Sivjet prindërit janë përgjegjës për blerjen e teksteve dhe materialeve shkollore për fëmijët e tyre. Kurse mjetet do të subvencionohen nga Ministria e Arsimit, pasi ata të kenë aplikuar në platformën e-Kosova.

Kjo Ministri ka marrë vendim që të ndajë nga 80 euro për nxënësit nga klasa e parë deri në të pestën dhe nga 30 euro për ata nga e gjashta deri në të nëntën, pasi këta të fundit i kanë të siguruara librat nga viti i kaluar. Për këtë Qeveria ka ndarë rreth 13 milionë euro.

Nagavci gjatë ditës së djeshme tha se kanë përfunduar procedurat e pagesës për grupin e parë të aplikuesve që kanë aplikuar deri më datë 29 gusht për furnizim me tekste shkollore dhe materiale mësimore e që janë mbi 81 mijë përfitues.

Ajo tha se numri i tërësishëm i aplikimeve deri tani është mbi 115 mijë dhe pjesa e mbetur do të trajtohen me grupin e radhës.

E vendimi i Ministrisë së Arsimit ngjalli reagime të shumta nga sindikata e arsimit, prindërit dhe opozita.

Kryetari i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit, Shkencës (SBASHK), ka deklaruar se viti i ri shkollor do të fillojë me vështirësi, me të cilat i krijoi Ministria e Arsimit. Ndërkaq, e ka quajtur eksperiment të gabuar, vendimin që blerja e teksteve shkollore të bëhet nga ana e prindërve.

Jasharaj në takimin me kryetarët e nivelit komunal sindikal dhe të universiteteve, ka thënë se “MASHTI ka pasur dëshirë që viti të niste me greva e që gishti t’i drejtohej SBASHK-ut”.

Ai kritikoi Qeverinë e Kosovës për tekstet shkollore dhe tha se “viti shkollor do të fillojë keq” për faj të ministres Nagavci. Tha se SBASHK-u do të vazhdojë luftën e vet me Ministrinë e Arsimit për kërkesat e tyre.

Edhe Ymer Ymeri nga Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka deklaruar se aplikimi i prindërve në platformën “e-Kosova” për t’i pajisur fëmijët me tekste shkollore, mund të mos funksionojë.

Sipas tij, kjo mënyrë e cila u zgjodh nga Ministria e Arsimit ka qenë e gabueshme, dhe se se është faji i tyre që nuk janë përgatitur me kohë për t’ua siguruar fëmijëve librat.

Related posts

Katër anëtarë të një familje shqiptare humbin jetën në Itali nga helmimi me monoksid karboni

RTI

Avokati i Popullit dërgon në Kushtetuese Ligjin e Pagave

Muhamet Ramadani

Shefi i OBSH-së: Bota po përballet me rritje të rasteve të koronavirusit dhe lisë së majmunit

admin