RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Spanjë, zjarret dogjën rreth 4.000 hektarë

spanje,-zjarret-dogjen-rreth-4.000-hektare

Një zjarr me përhapje të shpejtë dogji sot rreth 4.000 hektarë (9.900 akra) në verilindje të Spanjës, duke detyruar evakuimin e rreth 250 banorëve ndërsa zjarrfikësit luftuan me flakët e shumta në të gjithë vendin pas valës së të nxehtit, transmeton Anadolu.

Zjarri më i madh shpërtheu të enjten midis qyteteve Tamarite de Litera dhe Alcampell në rajonin verilindor Aragon. Banorët e tre fshatrave u evakuuan ndërsa autoritetet udhëzuan njerëzit në një qytet aty pranë të qëndronin brenda për shkak të tymit të fortë.

Zjarri është përhapur në një zonë pyjore malore, sipas autoriteteve rajonale ndërsa dhjetëra zjarrfikës dhe burime ajrore janë vendosur për të vënë nën kontroll flakët. Autoritetet besojnë se zjarri është shkaktuar nga një shtrëngatë e thatë.

Sot, Aragon aktivizoi alarm “kuq plus” për rrezikun ekstrem të zjarrit që do të vazhdojë deri të hënën, duke ndaluar rreptësisht aktivitetet bujqësore dhe aktivitete të tjera që mund të ndezin zjarret. Disa zjarre të tjera ende janë aktive.

Në rajonin fqinj Navarra, një zjarr tjetër detyroi evakuimin e tre fshatrave pasi flakët u përhapën nga toka bujqësore në një pyll pishe pranë Ezcabartes. Qyteti i afërt Pamplona u përfshi nga tymi i dendur ndërsa presidenti rajonal paralajmëroi se zjarri mund të vazhdojë të digjet për disa ditë.

Në provincën veriperëndimore Leon, më shumë se 10 zjarre shpërthyen pas goditjeve të rrufesë, megjithëse kushtet e favorshme të motit ndihmuan zjarrfikësit të parandalonin shumicën e tyre.

Spanja është përballur me një fillim jashtëzakonisht të nxehtë të verës, me këtë javë që regjistron dy ditët më të nxehta të qershorit në vend. Vera e kaluar ishte sezoni më i keq i zjarreve në Spanjë në më shumë se tre dekada, sipas Ministrisë së Mjedisit.

Related posts

Gjermania përjashton mundësinë e bashkimit me forcën stabilizuese në Gaza

Muhamet Ramadani

KRU Prishtina njofton për intervenime në disa zona të kryeqytetit

RTI

BE, mbi një e pesta e popullsisë nën rrezikun e varfërisë

admin