RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Spiropali: Të drejtat e studentëve shqiptarë në RMV janë të garantuara me Kushtetutë

spiropali:-te-drejtat-e-studenteve-shqiptare-ne-rmv-jane-te-garantuara-me-kushtetute

Ministrja për Evropën dhe Punët e Jashtme, Elisa Spiropali, ka vlerësuar publikisht studentët shqiptarë në Maqedoninë e Veriut, të cilët po kërkojnë të drejtën për të zhvilluar provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe.

Në një reagim në rrjetet sociale, Spiropali theksoi se mënyra demokratike e artikulimit të kërkesës dhe angazhimi qytetar i studentëve përbëjnë një shembull pozitiv, duke nënvizuar se dialogu mbetet rruga më e sigurt për ndërtimin e besimit dhe forcimin e standardeve demokratike.

Ajo theksoi se kërkesa e studentëve për përdorimin e gjuhës shqipe është plotësisht në përputhje me të drejtat e garantuara nga Kushtetuta dhe legjislacioni në fuqi i Maqedonisë së Veriut. Sipas Spiropalit, respektimi i këtyre të drejtave është thelbësor për funksionimin e një shoqërie demokratike dhe gjithëpërfshirëse.

Ministrja shprehu gjithashtu vlerësim për qasjen e institucioneve të Maqedonisë së Veriut, duke veçuar gatishmërinë e kryeministrit Hristijan Mickoski dhe zëvendëskryeministrit Izet Mexhiti Sali për ta trajtuar këtë çështje me seriozitet dhe në përputhje me kuadrin kushtetues dhe ligjor të vendit.

Sipas saj, zgjidhjet institucionale, dialogu konstruktiv dhe respekti për të drejtat themelore janë elementët kryesorë për avancimin e standardeve demokratike dhe bashkëjetesës.

Në Maqedoninë e Veriut, gjithsej 385 studentë shqiptarë nga tre fakultete juridike, Universiteti i Tetovës, Universiteti i Evropës Juglindore dhe Universiteti “Nënë Tereza” kanë dorëzuar një peticion ku kërkojnë që provimi i jurisprudencës të zhvillohet edhe në gjuhën shqipe, krahas maqedonishtes. Studentët argumentojnë se kjo e drejtë u takon me ligj, pasi studimet i kryejnë në shqip dhe gjuha shqipe ka status zyrtar në vend. /gazetatema

Related posts

Dështon mbledhja e Kryesisë së Kuvendit

Muhamet Ramadani

Gaza, rritet në 27.365 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite

Muhamet Ramadani

Konjufca: Serbia vazhdon të jetë e njëjtë – kriminelët nuk u dënuan por u shpërblyen me poste

Muhamet Ramadani