Ligji i ri kundër terrorizmit, i cili u ratifikua nga parlamenti suedez muajin e kaluar, hyri në fuqi sot, raporton Anadolu.
Ligji ishte një nga kërkesat kryesore të Tpër të ratifikuar anëtarësimin e vendit nordik në NATO.
Në një intervistë me të përditshmen suedeze Dagens Nyheter në prill, ministri i Jashtëm suedez Tobias Billstrom tha se ligji do të hyjë në fuqi më 1 qershor.
Ai tha gjithashtu se ligji i ri do të adresonte shqetësimet e Turqisë.
PKK ka “punë të gjerë në Suedi për të mbledhur para dhe për të financuar aktivitetet terroriste që shënjestrojnë Turqinë”, citohet të ketë thënë ministri për të përditshmen.
Billstrom shtoi se organizata përdor gjithashtu Suedinë si bazë për shitjen e drogës dhe aktivitete të tjera që dëmtojnë gjithashtu shoqërinë suedeze.
“Biznesi terrorist nuk i drejtohet shtetit suedez, por një shteti tjetër, dhe kjo nuk e bën atë më pak serioz”, tha ai.
– Ligji i ri
Ligji synon të kriminalizojë anëtarësimin në organizata terroriste në vend dhe parasheh deri në katër vjet burg për ata që marrin pjesë në aktivitete terroriste ose bashkëpunojnë me organizatat terroriste.
Sipas ligjit, kjo përfshin ata që marrin pjesë në aktivitete me qëllimin për të mbështetur, forcuar ose inkurajuar një organizatë terroriste.
Nëse ka arsye rënduese, dënimi për këto krime do të jetë minimalisht dy vjet, i cili mund të rritet deri në tetë vjet për krimet që konsiderohen të rënda.
Ata që janë të përfshirë në krime të tilla si furnizimi me armë, municione, materiale të ndezshme dhe shpërthyese, mbështetje transporti dhe dhënia me qira e tokës dhe e pronave për një organizatë terroriste, mund të dënohen deri në katër vjet burg.
Nëse ka shkaqe rënduese për këto krime, do të shqiptohen dënime me burg nga 1,5 deri në 7 vjet.
Ligji u jep autoriteteve kompetenca shumë më të gjera për të arrestuar dhe ndjekur penalisht njerëzit që financojnë ose mbështesin në mënyra të ndryshme organizatat terroriste.
Edhe pse Turqia miratoi anëtarësimin e Finlandës në NATO, Ankaraja zyrtare pret që Suedia t’i përmbahet memorandumin trepalësh të nënshkruar qershorin e kaluar në Madrid për të adresuar shqetësimet e sigurisë.