Partia bashkëqeverisëse e Gjermanisë ‘Të Gjelbrit’ janë shprehur me një qëndrim kundër blerjes së mundshme të dronëve kinezë për mbrojtjen civile të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Siç raportojnë mediat lokale, bashkë-kryetari i ‘Të Gjelbërve’, Omid Nouripour, pas një takimi të partisë së tij në kryeqytetin Berlin, tha se mendojnë se “kjo është një ide e keqe”.
Duke iu referuar raporteve të mediave në lidhje me një marrëveshje të mundshme për blerjen e dronëve kinezë, Nouripour tha se është e gabuar “të blesh nga një regjim ku ne dimë se elektronika në këtë vend përdoret në mënyrë masive për mbikëqyrje”.
“Ne nuk duhet ta bëjmë veten edhe më të varur nga shtetet autokratike dhe diktaturat në fusha si mbikëqyrja, të cilat janë shumë kritike”, tha Nouripour.
Sipas një raporti nga rrjeti publik i transmetimit ‘NDR’, Ministria e Punëve të Brendshme planifikon të blejë mbi 60 dronë të tipit ‘DJI Matrice 300’ për të eksploruar zonat e fatkeqësive dhe për të kërkuar persona të zhdukur gjatë katastrofave natyrore.
Ndërkohë, një zëdhënës i paidentifikuar i Ministrisë së Punëve të Brendshme nga social-demokratët mbrojti planet, por bëri të qartë se asnjë ofertë akoma nuk është bërë.
“Për zonën e mbrojtjes civile, aktualisht nuk ka shqetësime për përdorimin e dronëve për shkak të kërkesave operacionale dhe zonave operacionale”, tha zëdhënësi.
Së fundmi, Gjermania ka filluar një rishqyrtim strategjik të marrëdhënieve të saj me Kinën, pasi Berlini është i detyruar të përballet me mbështetjen e saj ekonomike nga një superfuqi aziatike gjithnjë e më luftarake.
Megjithatë, marrëveshjet e planifikuara nga investitorët kinezë me dy kompani gjermane të prodhimit të çipave u ndaluan nga koalicioni qeveritar i qendrës së majtë.