Të paktën dy persona kanë humbur jetën si pasojë e një shpërthimi në Poloninë lindore, jo shumë larg kufirit me Ukrainën, transmeton Anadolu Agency (AA).
Radio Lublin raportoi se zyrtarët e emergjencës dhe trupat e ushtrisë kanë arritur në vendin e shpërthimit në fshatin Przewodow të rrethit Lublin.
Shkaku i shpërthimit akoma nuk është bërë i ditur zyrtarisht.
Po ashtu edhe zëdhënësi i zyrës lokale të Shërbimit Shtetëror të Zjarrfikësve, Martin Lebiedowicz, tha se “shkaktarët e këtij incidenti për momentin nuk dihen”.
“Kemi marrë një raport për një shpërthim në një oborr. Me të mbërritur, ne konfirmojmë se diçka e tillë ka ndodhur. Për momentin, ne po sigurojmë skenën e incidentit”, tha Lebiedowicz.
Menjëherë pas raporteve të shpërthimit, zëdhënësi i qeverisë, Piotr Muller, tha se kryeministri Mateusz Morawiecki ka thirrur një takim urgjent të nivelit të lartë.
Situata raportohet se është kritike pas sulmit të fundit nga forcat ruse në objektet e infrastrukturës energjetike në Ukrainë. Disa nga raketat ruse goditën pjesën perëndimore të Ukrainës, respektivisht afër kufirit me Poloninë.
SHBA-ja fajëson Rusinë
Zëdhënësi i Pentagonit, Patrick Ryder, në një konferencë për media, tha se ata janë në dijeni të raporteve se dy “raketa ruse” goditën një vendndodhje “brenda Polonisë ose kufirin e Ukrainës”.
“Mund t’ju them se ne në këtë moment nuk kemi asnjë informacion për të vërtetuar ato raporte dhe po e shqyrtojmë këtë më tej”, tha Ryder.
Pentagoni po ashtu theksoi se SHBA-ja do të mbrojë “çdo centimetër të territorit të NATO-s”.
Më herët, Associated Press citoi një zyrtar të lartë anonim të SHBA-së duke theksuar se raketat ruse kaluan në Poloninë anëtare të NATO-s, duke lënë të vdekur dy persona.
Rusia mohon kryerjen e ndonjë sulmi pranë kufirit Ukrainë-Poloni
Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Rusisë, asnjë goditje nuk është kryer nga mjetet ruse të shkatërrimit kundër objektivave pranë kufirit Ukrainë-Poloni.
“Fragmentet e menjëhershme të publikuara nga mediat polake nga vendi i ngjarjes në fshatin Przewodow nuk kanë të bëjnë fare me armët ruse”, tha ministria ruse.
Sipas ministrisë ruse, “deklaratat e mediave dhe zyrtarëve polak për rënien e pretenduar të raketave ruse janë provokim i qëllimshëm për të përshkallëzuar situatën”.
Nga ana tjetër, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskyy, tha se ishin raketat ruse që goditën Poloninë.
Përshkallëzimi në rajon
Estonia dhe Letonia shprehën shqetësimin për raketat e dyshuara ruse që goditën Poloninë, e cila është anëtare e NATO-s.
“Lajmet e fundit nga Polonia janë shqetësuese. Ne jemi duke u konsultuar ngushtë me Poloninë dhe aleatët e tjerë. Estonia është e gatshme të mbrojë çdo pëllëmbë të territorit të NATO-s. Ne jemi në solidaritet të plotë me aleatin tonë të ngushtë Poloninë”, tha Ministria e Punëve të Jashtme e Estonisë.
Ndërkohë, ministri i Punëve të Jashtme i Letonisë, Edgars Rinkevics, e përshkroi incidentin si një “përshkallëzim të rrezikshëm nga Kremlini”.
“Raketat ruse që godasin territorin e vendit anëtar të NATO-s shtë përshkallëzim shumë i rrezikshëm nga Kremlini. Letonia shpreh solidaritet të plotë me aleatin tonë Poloninë dhe do të mbështesë çdo veprim që konsiderohet i përshtatshëm nga Polonia”, shkroi në twitter Rinkevics.
Ai shtoi se Rusia do të mbajë përgjegjësi të plotë për të gjitha pasojat. /aa
The first video from the site of the explosion and crater in the Polish village of Przewodów, Lublin Voivodeship. pic.twitter.com/E0rkGpCHZJ
— MAKS 22 (@Maks_NAFO_FELLA) November 15, 2022