Përplasja e kryeministrit me aktoren Egla Ceno, vijon rebelimi poliçanas ndaj tij
Ndërsa kërkon një transformim etik nga të tijtë në sjelljen me njerëzit, duke ju diktuar pikërisht virtytin që vetë nuk e ka, empatinë, Rama është shfaqur sërish me zero empati ndaj komunitetit poliçanas që refuzon shkrirjen si bashki. Gjatë një takimi në Berat për Territoraljen, Rama është ballafaquar me kryebashkiakun e Poliçanit, Adriatik Zotkaj, sigurisht një socialist, si dhe aktoren Egla Ceno, ish-banore e këtij qyteti e angazhuarsë fundmi me kuazën e qytetit të saj.

Ndaj të dyve, Rama është shfaqur siç është në realitet, arrogant, duke i injoruar e madje dhe kërkuar që Ceno të dalë përjashta. Kjo ka bërë që të gjithë poliçanasit e atyshëm të braktisin sallën.
Dhe kujtojmë se javë më parë, pikërisht në Poliçan, shpërthyen protestat e para kundër reformës së re territorial, të cilat kulmuan me djegien e shumë teserave të PS-së në mënyrë demonstrative.
Sepse Poliçani është tipik bastion PS-je, por si i tillë nuk po merr asnjë empati si shpërblim.
Reagimi i Egla Cenos
Në një prononcim për TCH, aktorja Ceno ka treguar saktësisht atë çfarë ndodhi në mbledhje, duke u shprehu se ajo i kishte kërkuar kryeministrit vetëm që ai ta dëgjonte.
Ceno tregoi se Rama i kishte kërkuar të dilte jashtë nga salla, ndërsa pas daljes së saj edhe anëtarët e tjerë e kishin braktisur dëgjesën dhe ishin bashkuar me të.
“Ishim një grup përfaqësuesish nga Poliçani për të bërë një dëgjesë për Territorialen. Poliçani është një qytet që e ka shprehur shumë herë mendimin e tij. Ministri Demo u dha fjalën qytetarëve, folën vetëm 2 prej tyre. Pastaj ndërhyri kryeministri dhe tha: ‘Ok, ok, se nuk jemi në një mbledhje për të dëgjuar sa mirë jetohet në Poliçan’, dhe fillon një fjalim që kishte pyetje, kishte përgjigje vetë, kishte djem nga salla që ngrinin dorën për të replikuar, po asnjë nuk u lejua të flasë.
Kur ishte drejt funditi thashë: ‘A mund të flasim, a do na dëgjoni?’. Më tha: ‘Dil jashtë’. ‘Po mo”, i thashë, “dal edhe jashtë’, por më thanë që kemi ardhur sepse kryeministri do na dëgjojë zërin. ‘Dil jashtë’, të lutem, i thashë. ‘Jo, mos m’u drejto kështu.’
U çua shumë i irrituar dhe tha: ‘Ndërpritet mbledhja derisa të dali zonja jashtë.’ Në ato momente, i gjithë komuniteti u bë bashkë me mua dhe dolëm të gjithë jashtë.
Nuk pati as provokime nga ana jonë. Unë vetëm i kërkova të na dëgjonte dhe të flisnim”, u shpreh Egla Ceno.
Reagimi nga Rama
Më vonë, vetë kryeministri bëri një koment:
“Sot në Berat, ku kokëfortësia kolektive e Poliçanit dhe këmbëngulja e disa zonjave të mirëpërgatitura të Dimalit, i dhanë diskutimit shijen e një ballafaqimi të posaçëm”, shkroi ai. /tesheshi.com/

