Vetëm pak ditë na ndajnë nga ardhja e muajit të madhërueshëm të Ramazanit. Me këtë rast Instituti Hasan Tahsin organizoi tribunën “Prag Ramazani”.
Përfitimet e individit dhe shoqërisë nga Ramazani janë të shumta, por në këtë tribunë u trajtuan tri dimensionet më thelbësore: në aspektin shpirtëror, psikologjik dhe shëndetësor.
Tribuna nisi me temën “Në prag të Ramazanit”, nga Teologe Znj.Advije Shazi Abazi.
Ajo i vuri theks të veçantë devotshmërisë dhe sinqeritetit gjatë kryerjes së punëve tona, ibadeteve tona dhe në gjithë sferat e jetës.
Muaji i bereqetshëm i Ramazanit është një muaj i ndryshimeve dhe ne duhet ta përgatisim veten më herët. E për këtë ajo këshilloi që të shtojmë ibadetet, leximin e Kuranit, namazet nafile, agjërimin etj.
Një ide e mirë ishte edhe sugjerimi i saj për të bërë një planprogram të veprave dhe synimeve tona gjatë këtij muaji , me qëllimin e vetëm për të arritur kënaqësinë e Allahut Fuqiplotë.
Më pas e mori fjalën Psikologe Znj.Vlera Bokshi Ukmata ku trajtoi temën “Kthjelloje mendjen me agjërim”.
Meditimi njihet si një ndër ritualet më të mira për shëndetin psikologjik, e tek muslimanët namazi shërben si një formë shumë e mirë meditimi, e aq më tepër që gjatë Ramazanit i shtojmë namazet tona.
Gjatë këtij muaji i rikthehemi sistemit të rregullt jetësor pasi e kemi anashkaluar gjatë 11 muajve të tjerë.
Gjatë Ramazanit kultivohet gradualiteti I cili është çelësi kryesor në procesin e ndryshimeve individuale dhe shoqërore.
“Ndikimi i agjërimit në shëndetin fizik “ ishte tema e mbajtur nga Doktoresha Onkologe Dr.Vildana Goga Çmega.
Muaji i Ramazanit është muaji i pastërtisë së zemrave tona në lidhje me Zotin, mirëpo perveç kesaj pastërtie kemi edhe pastrimin e mendjes, të kuptuarit tonë si dhe pastërtinë e trupit ( organizmit ) gjatë Ramazanit.
Vetitë, zakonet qe i fitojmë gjate Ramazanit, me pak vet-kontroll mund të vazhdohen edhe pas Ramazanit.
Në veçanti ceki dhe numëroi disa nga përfitimet e shumta të agjërimit të konfirmuara shkencërisht, duke filluar nga reduktimi i sëmundjeve të ndryshme, e deri tek eliminimi i disa rreziqeve që shkakton mbipesha, e që kjo e fundit mund të rregullohet me agjërim.
Duke mos harruar përfitimet në aspektin psikologjik, të rritjes së vullnetit, vigjilencës, koncentrimit dhe disponimit.
Përveç temave që u trajtuan në mënyrë të shkëlqyer, mes panelisteve dhe mysafireve u zhvilluan bashkëbisedime rreth pyetjeve të ndryshme dhe eksperiencave personale.
Tribuna u mirëprit dhe u vlerësua nga mysafiret e rastit, dhe shprehën interesin për aktivitetet e radhës.