RTV AHIRETI
Lajme

U restaurua xhamia dhe mejtepi i Mulla Idriz ef. Gjilanit

u-restaurua-xhamia-dhe-mejtepi-i-mulla-idriz-ef.-gjilanit

Në prag të 15-vjetorit të shpalljes së Pavarësisë së Kosovës dhe në nderim të kontributit fetar dhe atdhetar të Mulla Idriz ef. Gjilanit, sot, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, në fshatin Dunavë të Gjilanit, ka përuruar xhaminë dhe mejtepin e Mulla Idriz ef. Gjilanit, restauruar nga Ministria e Kulturës, respektivisht Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan.

Në këtë ceremoni qenë të pranishëm kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, kryetari i Komunës së Gjilanit, z. Alban Hyseni, përfaqësues të partive politike, bashkëfshatarë dhe familjarë të Mulla Idriz ef. Gjilanit.

Në fjalën e tij drejtuar të pranishmëve, Myftiu Tërnava, vlerësoi lart kontributin dhe angazhimin fetar dhe kombëtar të hoxhës. “Në kohën kur pushtuesi serb po tentonte ta zhdukte gjithçka që ishte shqiptare  e islame , figurat e shquara shqiptare, u vunë në ballë për ta mbrojtur vendin dhe kombin tonë. Mulla Idriz ef. Gjilani, luftoi për kauzën e bashkimit kombëtar, për të cilën edhe ra heroikisht. Amanetin e tij dhe të atyre që ranë heroikisht në luftën e fundit, ne gjeneratat e reja duhet ta çojmë në vend” – tha ndër të tjera Myftiu Tërnava.

Ministri Çeku tha se Ministria e Kulturës mbetet e përkushtuar për rikthimin në vendin e merituar të trashëgimisë kulturore islame. “Ne do të vazhdojmë të punojmë me përkushtimin të madh dhe në bashkëpunim me Bashkësinë Islame të Kosovës për restaurimin e objekteve fetare islame.”

Kryetari i Komunës, z. Alban Hyseni, tha se restaurimi i këtyre objekteve do t’ia kthejë hijeshinë këtij vendi dhe do ta bëjë atë qendër atraktive, ku qytetarët do ta vizitojnë dhe do të njihen me historikun dhe kulturën e vendit tonë.

Ndërkaq kryetari i Këshillit të BI-së së Gjilanit Naim ef. Aliu, falënderoi Ministrinë e Kulturës për bashkëpunimin ne restaurimin e këtyre dy objekteve, duke potencuar faktin se, vetëm në Gjilan, nga Ministria e Kulturës janë restauruar tri objekte të trashëgimisë islame.

Në emër të familjes së Mulla Idriz ef. Gjilanit, foli djali i tij, Isa Hajrullahu, i cili falënderoi Këshillin e Bashkësinë Islame të Gjilanit dhe Ministrinë e Kulturës për restaurimin e këtyre dy objekteve.

Krejt në fund, Këshilli i Bashkësisë Islame në Gjilan, ndau një mirënjohje për ministrin e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, z. Hajrulla Çeku, të cilën ia dhuroi Myftiu Naim ef. Tërnava.

Related posts

Salih Mustafa dënohet me 26 vjet burgim nga Gjykata Speciale në Hagë

admin

Media britanike: Bandat shqiptare në Britaninë e Madhe rekrutojnë anëtarë të rinj nga vendlindja

rezart morina

Oktay: 81 të plagosur nga shpërthimi, dy në gjendje kritike

admin