Ambasadori amerikan në OSBE, Michael Carptner, ka lëshuar një deklaratë të përbashkët në emër të Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Mbretërisë së Bashkuara.
Përmes kësaj deklarate ata kanë dënuar sulmet e grupit terrorist ndaj Policisë së Kosova, që ndodhën në Banjskë të Zvecanit.
Gjithashtu në këtë deklaratë, thuhet se autorët e kij sulmi duhet të sillen para drejtësisë.
“Po e bëj këtë deklaratë të përbashkët në emër të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar dhe në cilësinë time kombëtare.
Dënojmë fuqishëm sulmet e dhunshme në afërsi të Manastirit të Banjskës më 24 shtator që çuan në humbjen e jetës së një rreshteri të Policisë së Kosovës. Ne shprehim ngushëllimet tona të sinqerta për një vdekje kaq tragjike në krye të detyrës. Autorët duhet të mbajnë përgjegjësi dhe të sillen para drejtësisë përmes një procesi hetimor transparent.
Ne vlerësojmë koordinimin e ngushtë të Policisë së Kosovës me Forcën e Kosovës të udhëhequr nga NATO dhe Misionin e BE-së për Sundimin e Ligjit në Kosovë për të garantuar sigurinë e civilëve dhe vazhdojmë ta monitorojmë situatën nga afër. Ne ritheksojmë angazhimin tonë për të ulur tensionet. Në këtë drejtim, prioriteti ynë mbetet ecja përpara në normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, duke filluar me kthimin në Dialogun e lehtësuar nga BE-ja. Diplomacia është e vetmja rrugë drejt paqes së qëndrueshme”, thuhet në deklaratë.