RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Vërshimet në Podujevë, rreth 60 shtëpi të Pakashticës mbesin të bllokuara

vershimet-ne-podujeve,-rreth-60-shtepi-te-pakashtices-mbesin-te-bllokuara

Reshjet që kanë nisur dy ditë më parë në Komunën e Podujevës, kanë vërshuar fshatra e një pjesë të qytetit të Podujevës. Përveç dëmeve në infrastrukturën rrugore dhe në arat e mbjella me grurë, uji në disa vende ka depërtuar edhe në oborret e shtëpive. Rreth 60 shtëpi të fshatit Pakashticë kanë mbetur të bllokuara, pasi rruga e fshatit është vërshuar nga uji.

Të bllokuara kanë mbetur rreth 60 shtëpi të fshatit Pakashticë e Epërme të Podujevës, pasi lumi ka dalë nga shtrati dhe ka mbyllur rrugën. Kalimi në pjesën tjetër të fshatit ka qenë i pamundur me automjete të vogla. Banorët kanë thënë se kjo gjendje e rënduar është që nga mbrëmja e së mërkurës.

“Prej mbrëmë thuajse janë rritë ujërat edhe dëmet janë, lumi e ka shtratin shumë ngushtë edhe ka dalë uji nëpër oborre, nëpër ara, nëpër grunije, ka shkaktuar dëm shumë të madh. Edhe në krye të fshatit thuhet se e ka rrëzuar murin që e ka ndërtuar Komuna”, ka deklaruar Arsim Hasani.

Rritja e nivelit të ujit ka nxjerrë nga shtrati lumenj e përroska, që kanë shkaktuar dëme në infrastrukturën rrugore dhe në bujqësi. Madje, në disa vende si Pakashticë, Bradash, Peran dhe në një lagje në qytet uji ka depërtuar nëpër oborre dhe është afër të hyjë edhe nëpër shtëpi.

“Po kemi problem me ujë, çështja e rekës kryesores, u bllokua prej mbeturinave e këtyre sendeve, s’po kemi qysh me ia ba zgjidhjen. Iu kisha ba apel njerëzve, së pari kryetarit me dalë me zgjerua vendin këtu ku është depërtimi i ujit”, ka thënë Arsim Hoti nga Bradashi.

Në anën tjetër, zyrtarët komunalë të Podujevës kanë thënë se janë duke intervenuar në disa pjesë që konsiderohen problematike, për të shmangur rrezikun që mund të shkaktojë rritja e nivelit të ujit.

“Prej mbrëmë kemi qenë tërë kohën duke e përcjellë situatën në komunën tonë. Tash pothuajse jemi të njoftuar me pikat më të ndjeshme, sepse është hera e katërt që këtë vit po përballemi me vërshime dhe pjesët më të vërshuara deri tash janë fshati Pakashticë, Perani, Letanci, Bajçina, Obrança një pjesë, dhe një pjesë e qytetit”, ka thënë Bahri Selimi, drejtor për Shërbime Publike në Komunën e Podujevës.

Drejtori Selimi ka thënë se kjo është hera e katërt që shkaktohen vërshime në Komunën e Podujevës.

Related posts

Turqia dërgon trenin e shtatë humanitar në Afganistan

admin

Shkeljet e të drejtave të konsumatorit mjaft të shpeshta, vetëm këtë fillimvit mbi 500 ankesa

admin

Lajçak thotë se me Bislimin u pajtuan që zbatimi i shpejtë i marrëveshjeve është urgjent

admin6