RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Vitia: “Pharma Leader” falsifikoi dokumentet për importim të insulinave në Kosovë

vitia:-“pharma-leader”-falsifikoi-dokumentet-per-importim-te-insulinave-ne-kosove

Ministria e Shëndetësisë i ka proceduar në organet kompetente të drejtësisë provat lidhur me dyshimet për falsifikim të dokumentacionit në tender nga ana e operatorit ekonomik “Pharma Leader”.

Ministri Arben Vitia ka thënë se të hënën është njoftuar se kjo kompani nuk ka pasur asnjë leje apo marrëveshje për të importuar insulina në Kosovë, as nga prodhuesi amerikan “Eli LIily”, as nga kompania në Maqedoni.

Ai ka sqaruar se lidhur me këtë rast ka kërkuar përgjigje nga “Farma Trade” me seli në Maqedoninë e Veriut. “Pharma Leader” në maj të këtij viti kishte ofruar dëshmi në gjuhën angleze, për të cilën ka kërkuar përgjigje edhe MSH-ja.

“Nga ana e kompanisë të ‘Fharma Trade’ kemi pranuar përgjigjen përmes postës elektronike, me shkrim, se dëshmia e ofruar nga ‘Pharma Leader’ nuk është valide dhe se ata nuk kanë ofruar një dëshmi të tillë. Në pyetjen tonë nëse prodhuesi ‘Eli Lilly and Company’ është në dijeni për përmbajtjen e kësaj shkrese/dëshmie të ofruar nga ‘Pharma Leader’, përgjigjja është se as prodhuesi nuk është në dijeni të ekzistimit të një shkrese të tillë që kompania e ka prezantuar si dëshmi në Ministrinë e Shëndetësisë”, ka thënë Vitia.

Bazuar në verifikimin e dëshmive, “Pharma Leader” dyshohet se ka ofruar dokument të falsifikuar. Vitia ka thënë se pas këtij rasti, dyshohet se edhe dokumentet e tjera të paraqitura nga kjo kompani, kanë qenë të falsifikuara.

“Verifikimin për vërtetësinë ose jo të këtij dokumenti të pretenduar, si Ministri e Shëndetësisë e kemi pranuar dje, me datë 12 qershor 2023, pas përfundimit të orarit administrativ. Përgjigjja ka ardhur nga ‘Pharma Trade’ me seli në Maqedoninë e Veriut. Kjo ve ne dyshim edhe te gjitha dokumentet e prezantuara deri me tani nga kompania ne fjale. Me këto të dhëna janë marrë vendimet në gjykata, në OSHP dhe aq më shumë hetim në prokurorinë speciale e themelore”, ka theksuar Vitia.

Vitia është shprehur se pavarësisht thirrjeve për regjistrim të insulinave, kanë hasur në rezistencë dhe se nuk e ka kuptuar pse.

“Tani po bëhet e qartë. Kompania në fjalë nuk ka dashur të aplikojnë për AM se nuk kanë mundur. Sepse nuk kanë pasur lejen nga prodhuesi amerikan. Pyetja që shtrohet këtu është nga do t’i merrnin insulinat kur nuk kanë pasur leje për t’i marrë ato amerikane? Produkte fallco? Kontrabandë apo çfarë? Kjo duhet kuptuar nga sa më parë”, ka deklaruar ministri i Shëndetësisë.

Vitia ka thënë se janë ndërmarrë të gjitha masat ligjore që veprimet e tilla me barnat pa autorizim të ndërpriten.

Sekretari i MSH-së, Naim Bardiqi, ka thënë se tenderi do të rihapet përsëri, porse në fillim duhet të kalojë në procedura nëse do të ketë ankimime. Bardiqi ka deklaruar se i kanë menduar të gjithë skenarët e mundshëm dhe siguroi që qytetarët nuk do të mbesin pa insulina.

“Stoqet për insulina ka edhe për një muaj, një muaj e gjysmë. Një procedurë tjetër është iniciuar para një muaji e gjysmë, procedurë urgjente. Me rëndësi është që të gjithë skenarët janë të menduar në mënyrë që qytetarët të mos mbesin pa to [insulina]”, ka thënë Bardiqi.

Related posts

Ministri izraelit i Sigurisë shtyn vizitën e planifikuar në xhaminë Al-Aksa

admin

S’ka marrëveshje në takimin e Nagavcit me SBASHK-un për ndërprerjen e grevës

admin

Statistikat serbe, mbi 61 mijë shqiptarë jetojnë në Serbi

rezart morina