Kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla dënon ngjarjen e ndodhur në veri të Kosovës, ku një oficer i Policisë së Kosovës mbeti i vrarë, nga një sulm me armë në afërsi të fshatit Banjskë.
Nikolla thekson se urdhëruesit e këtij krimi, duhet të mbajnë përgjegjësi.
“Dënoj me forcë sulmin e sotëm në afërsi të Banjskës në Veriun e Kosovës, si pasojë e të cilit një oficer i Policisë së Kosovës u vra dhe një tjetër u plagos. Urdhëruesit e këtij krimi duhet të mbajnë përgjegjësi dhe kriminelët duhet të dërgohen para drejtësisë. I shpreh ngushëllimet dhe ndaj dhimbjen me familjen e oficerit të vrarë në krye të detyrës”, nënvizon Nikolla.
Sipas saj, “ky akt brutal kriminal ndaj efektivëve të Policisë së Kosovës dhe pasojat e tij tragjike janë shenja se zhvillimet mund të përkeqësohen nëse nuk ndërhyhet nga komuniteti evroatlantik dhe KFOR për ndalimin e përshkallëzimit të situatës”.
“Dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, sipas rekomandimeve të ShBA dhe BE, mbetet rruga e vetme për normalizimin e marrëdhënieve dypalëshe.
Nga ana tjetër, normalizimi i marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë është kusht i domosdoshëm për sigurinë dhe paqen në rajon”, përfundon reagimin e saj kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Ngjarja u humbi jetën punonjësi i Policisë, ka ndodhur rreth orës 02:34 të mëngjesit të 24 shtatorit 2023 kur në hyrje të fshatit Banjskë, në urë janë vendosur dy mjete të rënda kamionë pa targa, duke e bllokuar lëvizjen. Më pas personat e armatosur kanë qëlluar në drejtim të makinës së policisë, ku për pasojë humbi jetën efektivi Afrim Bunjaku, polic i Rendit me gradën rreshter, ndërsa i plagosuri është pjesëtar i Policisë Kufitare. Policia ka dhënë detaje se si ka ndodhur ngjarja. /atsh