Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë se do të jetë i përgatitur për takimin e 27 shkurtit me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, por duke shtuar se e “di se çfarë e pret”.
Në një intervistë për “Pink TV” të martën në mbrëmje, Vuçiqi ka thënë se e ka të vështirë të bisedojë me Kurtin.
“Nuk ka shumë mundësi të bisedohet me Kurtin. Ai njeri menjëherë nis të flasë për Sllobodan Millosheviqin, vuajtjet e tij… nuk e di, Adem Demaçin… aty e kuptoni se ai ka mbetur prapa në kohë dhe kaq…”, ka thënë Vuçiq.
Ai ka deklaruar se pret që në këtë takim të bisedohet për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
“Sigurisht, që do të ketë bisedime për Asociacionin, sepse unë do të flas për të, dhe duhet ta bëjnë këtë edhe përfaqësuesit ndërkombëtarë”, ka thënë Vuçiqi duke shtuar se pret që Kurti “të dalë me truqe të reja”.