RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Vuçiq: Von der Leyen theksoi dëshirën e saj për pavarësi të BE-së, pritet përgjigjja e Trumpit

vuciq:-von-der-leyen-theksoi-deshiren-e-saj-per-pavaresi-te-be-se,-pritet-pergjigjja-e-trumpit

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq tha sot se presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen theksoi qartë ambicien e Bashkimit Evropian për të vendosur pavarësi të plotë politike dhe ekonomike nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës në hapjen e Forumit Ekonomik Botëror në Davos, transmeton Anadolu.

Vuçiq u tha gazetarëve se Von der Leyen theksoi disa herë në fjalimin e saj se, siç tha ai, distancimi politik midis BE-së dhe SHBA-së është një proces afatgjatë dhe se ajo foli për forcimin e Unionit përmes zgjerimit dhe bashkëpunimit më intensiv me partnerë të ngushtë.

Sipas tij, presidentja e KE-së theksoi rëndësinë e zgjerimit të mëtejshëm të BE-së, përfshirë Ukrainën si dhe mundësinë e anëtarësimit të ardhshëm të Norvegjisë dhe Islandës, me bashkëpunimin më të ngushtë me Kanadanë dhe Mbretërinë e Bashkuar.

Vuçiq deklaroi se pas fjalimit të saj, ai foli me analistin amerikan Ian Bremer, me të cilin, tha ai, ndan shumicën e pikëpamjeve mbi mesazhet dhe pasojat e mundshme të paraqitura në Davos.

Ai shtoi se Von der Leyen i quajti sanksionet dhe tarifat e SHBA-së si një gabim të madh dhe tha se përgjigjja e BE-së do të ishte proporcionale, vendimtare dhe e unifikuar.

Sipas Vuçiqit, BE-ja planifikon t’i përgjigjet një politike të tillë duke zgjeruar marrëveshjet e tregtisë së lirë, përfshirë ato me vendet e Amerikës së Jugut brenda “Mercosur” si dhe me Meksikën, Indonezinë, Filipinet, Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Indinë.

Vuçiq tha se pritet një fjalim i fortë nga presidenti i SHBA-së, Donald Trump, i cili, sipas tij, mund të shkojë në drejtim të kundërt me mesazhet e paraqitura në hapje të forumit.

Ai paralajmëroi se një thellim i mundshëm i mosmarrëveshjeve tregtare midis Evropës dhe SHBA-së mund të ketë efekt negativ në vendet e tjera, përfshirë Serbinë.

Presidenti serb tha gjithashtu se pret të marrë së shpejti ftesë për një vizitë zyrtare në Kinë.

Trump ka thënë se SHBA-ja duhet ta blejë Grenlandën për arsye sigurie kombëtare dhe për të penguar rivalët në Arktik. Ai ka kërcënuar me tarifa aleatët evropianë që kanë kundërshtuar kontrollin e Grenlandës nga SHBA-ja dhe kanë dërguar një numër të vogël trupash në territor.

Si Danimarka ashtu edhe Grenlanda kanë refuzuar çdo propozim për shitjen e territorit. Propozimi dhe kërcënimi me tarifa janë përballur me reagime të gjera në Evropë.

Related posts

Ligji për Pagat pritet të nënshkruhet nga presidentja Osmani, këto janë disa nga koeficientet

admin

Turqia i bën thirrje Greqisë të respektojë të drejtat e liderëve fetarë të zgjedhur të pakicës turke

RTI

Rritet nën 34.904 numri i palestinezëve të vrarë nga sulmet izraelite në Gaza

admin