Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, të shtunën ka bërë të ditur se ka aprovuar rikthimin e shërbimit të detyrueshëm ushtarak.
Sipas planit, shërbimi ushtarak do të jetë i detyrueshëm për burrat për 60 plus 15 ditë.
Vendimi tani pritet të aprovohet edhe nga Qeveria e Serbisë.
“Dua të besoj se Qeveria e Serbisë do ta miratojë vendimin. Dua të besoj se të gjithë e kuptoni se sa shumë na duhet një ushtri e fortë, sa më shumë do të na duhet të blejmë armë. Sepse nuk është dëshira jonë të sulmojmë dikë. As nuk do ta bëjmë . Por dëshira jonë është që të pengojmë të gjithë ata që na kërcënojnë çdo ditë”, ka thënë Vuçiq në ceremoninë e gradimit të 177 kadetëve të Akademisë Ushtarake.
Për gratë, shërbimi ushtarak do të jetë sipas vullnetit të tyre.
Në Serbi shërbimi i detyrueshëm ushtarak u hoq më 1 janar 2011, që atëherë vetëm ata që duan, shkojnë vullnetarisht në ushtri.
Vendet evropiane që nuk e kanë hequr shërbimin e detyrueshëm ushtarak janë Zvicra, Norvegjia, Danimarka, Finlanda, Austria, Turqia, Estonia, Rusia, Bjellorusia, Ukraina, Greqia dhe Qipro.