Presidenti kinez, Xi Jinping, ka mbërritur në kryeqytetin indian New Delhi për Samitin e 18-të të Liderëve të BRICS-it, duke shënuar vizitën e tij të parë në Indi pas shtatë vitesh, transmeton Anadolu.
Sipas agjencisë shtetërore të lajmeve Xinhua, ai shoqërohet nga Cai Qi, një nga zyrtarët më të lartë të Kinës dhe drejtor i Zyrës së Përgjithshme të Partisë Komuniste të Kinës, si dhe nga kryediplomati Wang Yi.
Xi për herë të fundit udhëtoi në Indi në vitin 2019, disa muaj para fillimit të një përballjeje ushtarake mes forcave kufitare të dy vendeve në Ladakh, e cila zgjati më shumë se katër vjet dhe i çoi marrëdhëniet dypalëshe në nivelin më të ulët në gjashtë dekada.
Marrëdhëniet janë përmirësuar gradualisht gjatë viteve të fundit, me kryeministrin indian Narendra Modi që vizitoi Kinën vitin e kaluar dhe me të dy vendet që ndërmorën hapa për të rivendosur angazhimin e nivelit të lartë.
Me ftesë të Modit, Xi do të marrë pjesë në samitin dyditor të BRICS-it sot dhe nesër. Ai gjithashtu pritet të zhvillojë bisedime me Modin më vonë të shtunën në mbrëmje.
Takimi mbledh liderë nga Azia, Afrika, Lindja e Mesme dhe Amerika Latine dhe pritet të trajtojë çështje që përfshijnë tregtinë globale, bashkëpunimin ekonomik, si dhe zhvillimet rajonale dhe ndërkombëtare.
Një numër liderësh të huaj, përfshirë presidenti rus, Vladimir Putin dhe presidenti Iranian, Masoud Pezeshkian, kanë mbërritur tashmë në Indi për samitin.
Anëtarësia e zgjeruar e BRICS-it përfshin Brazilin, Kinën, Egjiptin, Etiopinë, Indinë, Indonezinë, Iranin, Rusinë, Arabinë Saudite, Afrikën e Jugut dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.
Grupi gjithashtu ka vende partnere, përfshirë Bjellorusinë, Bolivinë, Kazakistanin, Kubën, Malajzinë, Nigerinë, Tajlandën, Ugandën, Uzbekistanin dhe Vietnamin.
Samiti i fundit i BRICS-it u mbajt në Rio de Janeiro të Brazilit në vitin 2025. Kina pritet të jetë nikoqire e samitit të vitit 2027.

