RTV AHIRETI
Shëndetësi

Zbulohet një formë e re dhe e rrallë e diabetit që prek vetëm të sapolindurit

zbulohet-nje-forme-e-re-dhe-e-rralle-e-diabetit-qe-prek-vetem-te-sapolindurit

Shkencëtarët kanë identifikuar një gjen si shkakun e një forme të rrallë të diabetit që ndodh ekskluzivisht te të porsalindurit, dhe mutacionet e të cilit mund të çaktivizojnë dhe përfundimisht të shkatërrojnë qelizat prodhuese të insulinës.

Zbulimi i ri tregon se qelizat beta të pankreasit, përgjegjëse për krijimin e insulinës së nevojshme për të rregulluar glukozën në gjak, varen tërësisht nga një gjen i quajtur TMEM167A. Është interesante se ky gjen ndikon edhe në funksionin e neuroneve, shkruan ScienceAlert.

“Aftësia për të gjeneruar qeliza prodhuese të insulinës nga qelizat staminale na ka lejuar të studiojmë mosfunksionimin e qelizave beta te pacientët me forma të rralla, si dhe lloje të tjera të diabetit,” tha diabetologia Miriam Cnop nga Universiteti i Lirë në Bruksel, transmeton KosovaPress.

“Ky është një model i jashtëzakonshëm për të studiuar mekanizmat e sëmundjeve dhe për të testuar trajtimet.”

Një ekip ndërkombëtar ekspertësh hartoi gjenet e gjashtë foshnjave që u diagnostikuan me diabet neonatal dhe mikrocefali para se të mbushnin gjashtë muaj. Pesë prej tyre vuanin gjithashtu nga epilepsia. Ky kombinim diagnozash njihet si sindroma e mikrocefalisë, epilepsisë dhe diabetit, dhe është jashtëzakonisht i rrallë – vetëm 11 raste të tilla janë regjistruar në botë.

Para këtij studimi, dy gjene ishin të lidhura me sindromën IER3IP1 dhe YIPF5. Për të lindur me sindromën e mikrocefalisë, një fëmijë duhet të trashëgojë dy kopje të ndryshuara të gjenit, një nga secili prind.

Sekuencimi zbuloi se i njëjti model trashëgimie vlen edhe për foshnjat me një variant të gjenit TMEM167A që bllokon insulinën, duke e bërë atë shkakun e tretë të njohur gjenetik te sindroma e mikrocefalisë. Gjeni TMEM167A është aktiv në pankreas dhe tru, gjë që shpjegon pse këto foshnje kanë probleme me funksionin e të dy organeve.

Për të kuptuar më mirë mekanizmin e sëmundjes, studiuesit hoqën gjenin nga qelizat burimore pluripotente njerëzore dhe e zëvendësuan atë me një variant të marrë nga ADN-ja e njërit prej pacientëve. Këto qeliza burimore u nxitën më pas të zhvilloheshin në qeliza beta.

Edhe pse varianti i gjenit nuk ndërhyri në vetë zhvillimin, qelizat beta të prodhuara ishin jofunksionale. Kur u ekspozuan ndaj glukozës, ato nuk çliruan insulinë siç duhet. Këto qeliza gjithashtu nuk mund të përballonin ndërprerjet në retikulumin endoplazmatik, strukturën qelizore për transportimin e substancave, të cilat në fund çuan në vdekjen e tyre.

“Gjetja e ndryshimeve në ADN që shkaktojnë diabet te foshnjat na jep një mënyrë unike për të gjetur gjenet që luajnë role kyçe në prodhimin dhe sekretimin e insulinës”, shpjegoi gjenetistja molekulare Elisa de Franco nga Universiteti Exeter.

“Zbulimi i ndryshimeve specifike në ADN që shkaktojnë këtë lloj të rrallë diabeti te gjashtë fëmijë na çoi në sqarimin e funksionit të një gjeni pak të njohur, TMEM167A, duke treguar se ai luan një rol kyç në sekretimin e insulinës”, përfundoi ajo.

Hulumtimi u botua në Journal of Clinical Investigation.

Related posts

Nëse hani këto ushqime, mushkonjat do t’ju rrinë larg

admin

Shkencëtarët zbulojnë pse shalqiri është një nga ushqimet më të shëndetshme të verës

admin

E konsumoni domaten me lëkurë? Ndaloni menjëherë

admin