Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelenskyy, deklaroi të shtunën se qëndrimi i Ukrainës ndaj Kosovës nuk ka ndryshuar, duke theksuar rëndësinë e respektimit të integritetit territorial dhe të së drejtës ndërkombëtare, raporton Anadolu.
Duke iu përgjigjur pyetjes së gazetarëve pas takimit me presidentin serb Aleksandar Vuçiq në Beograd, Zelenskyy tha se Ukraina respekton integritetin territorial të partnerëve të saj dhe se politika e saj ndaj Kosovës mbetet e pandryshuar.
“Është e rëndësishme që të kemi një vizion partneriteti. Ne respektojmë integritetin territorial të partnerëve tanë dhe të drejtën ndërkombëtare. Politika e Ukrainës nuk ka ndryshuar kur bëhet fjalë për Kosovën. I jemi mirënjohës Serbisë për respektimin e integritetit territorial të Ukrainës, përfshirë Krimenë. Qëndrimi i Serbisë gjithashtu nuk ndryshon”, tha Zelenskyy.
Zelenskyy po zhvillon vizitën e tij të parë në Serbi, ku u prit nga Vuçiq me ceremoni zyrtare në Pallatin e Serbisë në Beograd.
Dy presidentët diskutuan një sërë çështjesh, përfshirë forcimin e marrëdhënieve dypalëshe, ndërsa presidenti serb deklaroi se Beogradi do të vazhdojë të mbështesë integritetin territorial të të gjitha vendeve anëtare të OKB-së, përfshirë Ukrainën.
Ukraina nuk e ka njohur ende pavarësinë e Kosovës.

