RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Zonja e Parë e Ukrainës i bën thirrje SHBA-së për më shumë armë

zonja-e-pare-e-ukraines-i-ben-thirrje-shba-se-per-me-shume-arme

Zonja e Parë e Ukrainës, Olena Zelenska, ka kërkuar më shumë armë nga Shtetet e Bashkuara, të cilat mund të përdoren për të parandaluar sulmet ajrore ruse që “vrasin fëmijët në karroca”, dhe të cilat mund të mbrojnë ukrainasit nga “sulmet terroriste” ruse.

Zelenska, e cila gjendet për vizitë në Uashington këtë javë, ka folur para Kongresit amerikan më 20 korrik, duke thënë se Ukraina është mirënjohëse për ndihmën ushtarake që i ka siguruar SHBA-ja, ndonëse tani ka nevojë për sisteme ajrore për mbrojtje.

“Ne duam që secili baba dhe secila nënë të mund t’iu thonë fëmijëve që mund të bëjnë gjumin në paqe. Që nuk do të ketë më shumë sulme ajrore”, ka thënë ajo.

Zelenska ka thënë se armët që ka kërkuar ajo nuk janë të llojit për të nisur luftë në territorin e një shteti tjetër, “mirëpo për të mbrojtur shtëpitë dhe për të pasur mundësinë e zgjimit nga ajo shtëpi”.

Anëtarët e Kongresit kanë duartrokitur fjalimin e saj dhe kanë thënë se janë të gatshëm që të autorizojnë më shumë ndihmë.

Shtetet e Bashkuara veçse kanë ndarë tetë miliardë dollarë si ndihmë për Ukrainën, prej nisjes së luftës.

Zelenska, e cila ka vizituar Shtëpinë e Bardhë më 19 korrik, ka thënë se derisa ligjvënësit amerikanë mund të vazhdojnë punët e tyre, ajo dhe nënat tjera në Ukrainë hamendësojnë nëse fëmijët e tyre do të kthehen në shkolla në vjeshtë, derisa mësuesit mendojnë nëse do të mund të mbajnë klasat nën zhurmën e bombave.

Përveç takimit me presidentin amerikan, Joe Biden dhe Zonjën e Parë amerikane, Jill Biden në Shtëpinë e Bardhë, Zelenska ka takuar edhe Sekretarin amerikan të Shtetit, Antony Blinken.

Presidenti rus, Vladimir Putin, ka urdhëruar pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Ai e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. /rel

Related posts

Ga’za, numri i të vrarëve nga sulmet iz’raelite rritet në 37.431

admin

OKB shpreh shqetësim për situatën e tensionuar në Sudan

rezart morina

Osmani: Marrëveshja për të pagjeturit njëra prej arritjeve më të mëdha të dialogut

rezart morina