Pesë fshatarë që kishin mbetur të bllokuar për më shumë se një javë brenda një shpelle të përmbytur në Laosin qendror janë shpëtuar, ndërsa operacionet e kërkimit vazhdojnë për dy persona të tjerë të zhdukur, transmeton Aandolu.
Sipas autoriteteve të vendit dhe ekipeve ndërkombëtare të shpëtimit, grupi u bllokua më 20 maj pas reshjeve të dendura të shiut që shkaktuan përmbytje dhe rrëshqitje dheu, duke bllokuar hyrjen e një shpelle në provincën Xaysomboun, ku ata kishin hyrë për të kërkuar xehe ari.
Pas disa ditësh përpjekjesh të vështira, ekipet gjetën pesë të mbijetuar mbi një platformë shkëmbore rreth 300 metra brenda sistemit të shpellës.
Katër burra të tjerë u nxorën të sigurt sot, pas shpëtimit të një të mbijetuari një ditë më parë. Të shpëtuarit u dërguan për trajtim mjekësor dhe vëzhgim.
Operacioni i shpëtimit po mbështetet nga ekipe e Laosit, ato të Tajlandës dhe specialistë ndërkombëtarë të zhytjes në shpella, përfshirë disa nga ata që morën pjesë në shpëtimin e famshëm të shpellës Tham Luang në Tajlandë në vitin 2018.
Sipas raportimeve, mbi 100 shpëtimtarë janë përfshirë në operacion, duke u përballur me tunele të përmbytura, formacione të paqëndrueshme shkëmbore dhe kushte me shikueshmëri thuajse zero.
Autoritetet thanë se ekipet vazhdojnë të shpresojnë se dy personat e mbetur mund të gjenden gjallë, pavarësisht kushteve të vështira.

