RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Tregtari i vdekjes…

tregtari-i-vdekjes…

Ish-kuzhinieri u shiste online helme personave që kryenin vetëvrasje

Kanadezi Kenneth Law, ka pranuar fajësinë për 14 akuza të ndihmës në vetëvrasje, pasi për vite me radhë shiti në internet substanca toksike që u përdorën nga persona në vende të ndryshme të botës për t’i dhënë fund jetës së tyre.

Pranimi i fajësisë u bë në një gjykatë në Ontario të Kanadasë, në kuadër të një marrëveshjeje me prokurorët, të cilët hoqën dorë nga akuzat më të rënda për vrasje.

Sipas hetimeve, Law, ish-kuzhinier 60-vjeçar, drejtonte disa faqe interneti dhe vepronte në forume online ku mblidheshin persona me prirje vetëvrasëse.

Përmes këtyre rrjeteve ai u shiste substanca vdekjeprurëse klientëve nga rreth 40 vende të botës. Autoritetet vlerësojnë se ai ka dërguar afro 1.200 pako me produkte toksike, ndërsa rreth një e katërta e tyre kishin destinacion Mbretërinë e Bashkuar.

Megjithëse akuzat aktuale lidhen vetëm me viktima kanadeze, rasti ka shkaktuar zemërim në Britani.

Familjet e 79 britanikëve, vdekjet e të cilëve dyshohet se lidhen me produktet e shitura nga Law, kanë kritikuar autoritetet britanike për mosngritjen e akuzave ndaj tij në Mbretërinë e Bashkuar.

Shërbimi i Prokurorisë së Kurorës (CPS) argumenton se përfshirja e viktimave britanike në procesin e dënimit në Kanada është mënyra më e shpejtë dhe më efektive për të arritur drejtësinë.

Mes viktimave ishte edhe 19-vjeçari kanadez Ashtyn Prosser-Blake. Nëna e tij, Kim Prosser, kujton djalin si një të ri të sjellshëm, optimist dhe gjithmonë të gatshëm për të mbrojtur më të dobëtit.

Sipas saj, gjendja e tij mendore u përkeqësua pas pandemisë së Covid-19, derisa ai i dha fund jetës në vitin 2023. Megjithatë, ajo thotë se dënimi i Kenneth Law nuk do ta zbusë dhimbjen e humbjes së të birit.

Në Britani, një tjetër viktimë ishte Thomas Parfett, 22 vjeç. Babai i tij e përshkruan si një djalë plot jetë, me humor të veçantë dhe pasion të madh për futbollin.

Thomas bleu substancën për rreth 50 paund dhe u gjet i vdekur në një hotel në Surrey në vitin 2021.

Babai i tij shprehet i zhgënjyer që Law nuk do të përballet me drejtësinë britanike për vdekjen e të birit dhe kërkon një hetim publik për të kuptuar përmasat e këtij fenomeni dhe për të parandaluar tragjedi të tjera.

Arrestimi i Kenneth Law në maj 2023 ishte rezultat i një operacioni ndërkombëtar ku morën pjesë të paktën 11 agjenci të zbatimit të ligjit dhe hetues nga Kanadaja, Britania, Italia, SHBA-ja dhe vende të tjera. Hetimet zbuluan se ai jo vetëm shiste substancat, por në disa raste jepte edhe udhëzime se si të përdoreshin ato për të siguruar vdekjen.

Rasti ka ngritur shqetësime serioze për rrezikun e forumeve online dhe qasjen e lehtë në substanca vdekjeprurëse përmes internetit.

Dëgjimi për caktimin e dënimit të Kenneth Law do të nisë më 23 shtator, kur familjet e viktimave do të kenë mundësinë të paraqesin dëshmitë e tyre mbi pasojat shkatërruese që kjo veprimtari ka lënë në jetët e tyre. tesheshi

Related posts

Avionët izraelitë sulmojnë punonjësit e shpërndarjes së ndihmave në Qytetin e Gazës, 23 të vrarë

admin

Turqia zotohet të bllokojë aktivitetet terroriste dhe veprimet e njëanshme në rajon

Muhamet Ramadani

Hungari, 5 të vdekur nga përplasja e trenit me një automjet

admin