Rihapen bunkerët e Luftës së Ftohtë, mjekët po trajnohen për flukse masive pacientësh
Për dekada, Gjermania e ndërtoi sigurinë e saj mbi bindjen se lufta ishte diçka që ndodhte diku tjetër. Sot, ndërsa kërcënimet ndaj Evropës po diskutohen gjithnjë e më hapur, kjo bindje po ndryshon.
Nuk flitet më vetëm për armatim, raketa apo tanke, por edhe për një pyetje shumë më konkrete: çfarë do të ndodhte me sistemin shëndetësor nëse një konflikt i madh do të prekte Evropën?
Një reportazh i gjerë i Bloomberg, i titulluar “Germany’s Hospitals Prepare for War and Mass Casualties as Russia Threat Looms”, tregon se përgatitjet kanë nisur të hyjnë edhe në spitale.
Pyetjet janë praktike: sa pacientë të plagosur mund të duhet të trajtohen njëkohësisht, sa shtretër, kirurgë, barna dhe gjak do të nevojiteshin dhe si do të funksiononin spitalet në rast të ndërprerjes së energjisë, internetit apo infrastrukturës tjetër kritike.
Në këtë skenar, Gjermania nuk do të ishte vetëm një territor i rëndësishëm për mbrojtjen e NATO-s, por edhe një qendër e madhe logjistike dhe mjekësore për trupat aleate dhe të plagosurit që do të zhvendoseshin drejt perëndimit.
Një nga shembujt e reportazhit është spitali në Ulm, në jugperëndim të vendit. Në pamje të parë ai funksionon si çdo spital tjetër. Por disa metra nën ndërtesë ndodhet një bunker i ndërtuar në vitin 1979, gjatë Luftës së Ftohtë.
Struktura ishte projektuar për të vazhduar trajtimin e ushtarëve edhe në rastin e një sulmi bërthamor dhe mund të strehonte deri në dy mijë njerëz për rreth 90 ditë. Pas dekadash pothuajse jashtë përdorimit, ajo po rikthehet në vëmendje si pjesë e kapaciteteve që mund të nevojiten në një krizë të madhe.
Por përgatitja nuk kufizohet te bunkerët. Gjermania ka vetëm pesë spitale të Bundeswehr-it. Prandaj në rasti e një konflikti të gjerë spitalet civile do të ishin të domosdoshme për të përballuar numrin e pacientëve.
Një raportim i DPA-së në qershor, theksonte pikërisht nevojën për koordinim më të madh mes spitaleve civile dhe strukturave mjekësore të ushtrisë, përfshirë furnizimet, komunikimet dhe trajtimin e flukseve të mëdha të pacientëve.
Mjekët civilë po përgatiten për trauma të rënda dhe për situata ku një numër jashtëzakonisht i madh pacientësh mbërrin në të njëjtën kohë.
Në të njëjtën kohë, planifikimi përfshin rezervat e barnave dhe materialeve mjekësore, mënyrën e funksionimit gjatë ndërprerjeve të energjisë dhe mbrojtjen e infrastrukturës shëndetësore.
Edhe mbrojtja civile po hyn në një fazë të re. Qeveria gjermane po krijon një databazë dixhitale të hapësirave që mund të përdoren si strehimore, përfshirë parkingje nëntokësore dhe tunele, ndërsa të dhënat pritet të bëhen të aksesueshme edhe përmes aplikacionit të alarmit NINA.
Qeveria ka sqaruar se aktualisht nuk planifikon ndërtimin e bunkerëve të rinj, por synon të identifikojë dhe të përdorë më mirë hapësirat ekzistuese.
Kështu, përgatitja gjermane nuk është dëshmi se një luftë është e pashmangshme. Ajo tregon më shumë se sa shumë ka ndryshuar mënyra se si Berlini mendon për sigurinë: nga ideja se lufta është një skenar i largët, te nevoja për të planifikuar edhe pasojat e saj më konkrete.
Dhe në këtë plan, spitalet civile mund të jenë po aq të rëndësishme sa infrastruktura ushtarake. tesheshi

