Këshilli Evropian ka miratuar pesë Projektet e para Evropiane të Mbrojtjes me Interes të Përbashkët (EDPCI), të cilat synojnë forcimin e gatishmërisë mbrojtëse dhe kapacitetit industrial të bllokut, transmeton Anadolu.
Sipas Kwshillit Evropian, projektet bashkojnë vendet anëtare të BE-së për zhvillimin e kapaciteteve në fushën e dronëve dhe sistemeve kundër dronëve, mbrojtjes detare dhe të shtratit të detit, hapësirës, mbrojtjes ajrore dhe kundër raketave, si dhe mbrojtjes së krahut lindor të bllokut.
EDPCI-të u prezantuan në kuadër të Programit Evropian të Industrisë së Mbrojtjes (EDIP), të miratuar nga BE-ja në vitin 2025.
Projektet janë hartuar për t’u mundësuar vendeve anëtare të zhvillojnë së bashku kapacitete ushtarake që konsiderohen “kritike” për interesat e sigurisë dhe mbrojtjes së BE-së, veçanërisht iniciativa që janë tepër të mëdha ose komplekse për t’u realizuar nga vendet nw mwnyrw individuale.
Pesë projektet tani kanë të drejtë të përfitojnë financim nga BE-ja përmes EDIP-it, i cili do të mbështesë vendosjen e tyre fillestare dhe do të krijojë bazën për financime të mundshme shtesë në kuadër të Fondit Evropian të Konkurrueshmërisë, të planifikuar.
“Vendimi i sotëm tregon se Evropa mund të jetë ambicioze dhe t’i përmbushë premtimet e saj. Shtetet anëtare, së bashku me mbështetjen e BE-së, po bashkojnë forcat, po ndajnë ekspertizën e tyre dhe po investojnë së bashku në kapacitetet që na nevojiten”, tha Komisioneri Evropian për Mbrojtjen, Andrius Kubilius.

