Sondazhet e parakohshme tregojnë se blloku i ish-kryeminitrit izraelit, Benjamin Netanyahu, kryeson në zgjedhjet parlamentare të vendit, transmeton Anadolu Agency (AA).
Sipas sondazheve, blloku i krahut të djathtë i Netanyahu-t ka fituar 61 ose 62 vende nga gjithsej 120 anëtarë të parlamentit (Knesset), duke i mundësuar atij të formojë një qeveri me një shumicë të ngushtë.
Kundërshtari i tij, blloku i kryeministrit Yair Lapid, ka fituar 54 vende.
Rezultatet zyrtare pritet të shpallen të enjten ose të premten.
Qendrat izraelite të votimit u mbyllën vonë, ndërkohë që sipas autoriteteve zgjedhore regjistruan pjesëmarrjen më të lartë të votuesve për zgjedhjet parlamentare që nga viti 1999.
Pjesëmarrja e lartë vjen në zgjedhjet e pesta të përgjithshme të vendit në më pak se katër vjet.
Komisioni Qendror i Zgjedhjeve tha se deri në orën 20:00 me orën lokale, pjesëmarrja e votuesve ishte 66,3 për qind, me pothuajse 4.5 milionë njerëz që kishin shfrytëzuar të drejtën e tyre të votës.
Qendrat e votimit u mbyllën në orën 22:00. Rreth 6.7 milionë votues kishin të drejtë vote në zgjedhjet e përgjithshme që u zhvilluan të martën.