Si pasojë e reshjeve të shiut, që janë duke vazhduar me intensitet të lartë në disa pjesë të vendit, disa lumenj kanë dalë prej shtretërve të tyre dhe janë duke shkaktuar përmbytje. Shkaku i përmbytjeve Komuna e Mitrovicës e ajo e Skenderajt kanë shpallur gjendje të jashtëzakonshme, derisa kanë njoftuar se kanë formuar Shtabet Emergjente të cilat janë në terren që nga mëngjesi. Pas situatës ka reaguar edhe zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, i cili ka thënë se është duke u punuar që të gjitha rrugët të jenë të qarkullueshme për automjete.
Reshjet e fundit të shiut kanë bërë që Komuna e Mitrovicës dhe ajo e Skenderajt të shpallin gjendje emergjente.
Komuna e Mitrovicës përmes një njoftimi në Facebook ka thënë se kanë formuar dhe aktivizuar Qendrën Operative Emergjente për Menaxhimin dhe Monitorimin e situatës së shkaktuar nga reshjet e shiut.
“Qendra Operative Emergjente ka mbajtur edhe një takim të jashtëzakonshëm, ku u diskutua për gjendjen aktuale me të cilën po përballet qyteti i Mitrovicës, si pasojë e reshjeve atmosferike. Hapja e këtij takimi është bërë nga kryetari i Komunës, z. Bedri Hamza, i cili pasi i ka njoftuar anëtarët me situatën aktuale në Mitrovicë, ka shpallur gjendje emergjente, si pasojë e të reshurave të dendura të shiut.”
E me të njëjtën gjendje është duke u përballur edhe Komuna e Skenderajt.
Zyrtarë të kësaj komune kanë thënë gjendja më e rënduar është pjesa e qendrës, një pjesë e Klinës, Llaushës, Klladërnicës e Turiqevcit derisa edhe dëmet materiale janë shumë të mëdha.
“Si rrjedhojë e reshjeve të pandërprera, nga e cila gjendje është rënduar situata në përgjithësi, si dhe në bazë të kompetencave dhe autorizimeve, kam marrë vendim që të shpallim gjendje të jashtëzakonshme në të gjithë territorin e komunës sonë. Kam formuar gjithashtu Shtabin Emergjent, i cili tashmë ndodhet në teren dhe po e bën punën e vet”, ka njoftuar kryetari i Komunës së Skenderajt, Fadil Nura.
E 12 familje në fshatin Drejë të Istogut po presin që të evakuohen meqë kanë mbetur të bllokuara pas reshjeve të fundit.
Ekipet emergjente të komunës dhe zjarrfikësit nuk kanë arritur të depërtojnë në këto shtëpi.
Xhevat Demaj, drejtor i Emergjencave në Komunën e Istogut, ka thënë se po presin ndihmën e FSK-së.
“Është i bllokuar prej orës 12:00, na kanë mbetur të bllokuara 12 familje brenda në katund, dy hyrje te katundit janë blloku, jemi mundur me zjarrfikës por nuk kemi pasur mundësi të depërtojmë. Tash FSK ka ardhur këtu dhe po mendojmë përmes FSK-së t’i tërheqim”, ka thënë Demaj.
Demaj ka treguar se ka kontaktuar me ta dhe i kanë thënë se janë mirë vetëm se presin të evakuohen.
Ndërsa një familje tjetër në pjesën e parë të fshatit tashmë është evakuuar vet.
“Po e shihni edhe vetë çfarë situate jemi, vërshime ka të mëdha, më ka hyrë uji në shtëpi krejt, gjysmë metri, po e shihni edhe vetë çfarë gjendje. Vetëm shoqen e kam brenda, por tani del edhe ajo, asaj po i dhimbset çka ka ndodhur brenda, por po i them, çka të bëjmë, kjo është prej Zotit”, ka thënë banori Sinan Jetishi.
E zëvendësministri i Infrastrukturës, Hysen Durmishi, ka bërë të ditur se është duke u punuar që të gjitha rrugët të jenë të qarkullueshme për automjete.
“Sipas informacioneve nga tereni, janë mobilizuar të gjitha kompanitë e mirëmbajtjes së rrugëve, në mënyrë që të gjitha rrugët nacionale dhe regjionale, si dhe autoudhët të jenë të qarkullueshme për automjete. Kompanitë e MVD-së, të kontraktuara nga MMPHI-ja, gjatë tërë kohës po punojnë dhe po intervenojnë për qarkullim sa më të sigurt të automjeteve”, ka njoftuar ai.
Për situatën e renduar nga vërshimet në vend është diskutuar edhe në Kuvendin e Kosovës. Deputetet kanë kërkuar nga Qeveria dhe institucionet të dalin në teren dhe mbështesin familjet në nevojë.