Një therje me thikë raportohet të ketë ndodhur sonte në Fushë-Kosovë.
Kjo është konfirmuar edhe nga Policia e Kosovës.
Si pasojë e kësaj therje, një person ka pësuar lëndime trupore, të cilave nuk ka arritur t’iu bëjë ballë. Personi që ka humbur jetë në këtë rast është A.H, mashkull 41 vjeç.
“Sot rreth orës 22:00, policia ka marrë informatën për një lëndim të rëndë trupor në rrugën “Pjetër Budi” në Fushë-Kosovë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitet e nevojshme policore. Bazuar në të dhënat fillestare dyshohet se nga një mjet i mprehtë, lëndime të rënda trupore ka pësuar një person A.H, mashkull 41 vjeç, i cili është dërguar për tretman në QKUK, nga ku jemi njoftuar se i lënduari nuk ka arritur t’u përballojë plagëve dhe i njëjti ka ndërruar jetë”, ka thënë për lajmi.net zëdhënësja e policisë për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.
Ahmeti tha se aktualisht hetuesit policor në koordinim me prokurorin e shtetit janë duke punuar në ndriçimin, sqarimin e të gjitha rrethanave që kanë të bëjnë me këtë ngjarje.