Të shtëna të forta u dëgjuan përsëri në Khartoum, duke thyer një armëpushim 24-orësh pak pasi ai hyri në fuqi pasditen e së martës pas presionit të SHBA-së mbi palët ndërluftuese.
Shpërthime të forta u dëgjuan teksa kanalet televizive arabe transmetonin drejtpërdrejt nga kryeqyteti sudanez, pak minuta pasi filloi armëpushimi. Avionët luftarakë u panë duke fluturuar në sfond.
Më herët të martën, Sekretari amerikan i Shtetit, Anthony Blinken, i cili ndodhej në Japoni, tha se foli me telefon me shefin e ushtrisë gjeneral Abdel Fattah al-Burhan dhe kreun e grupit paraushtarak të Forcave të Mbështetjes së Shpejtë (RSF), gjeneralin Hamdan Daglo dhe bëri thirrje për një armëpushim në mënyrë që sudanezët “të mund të ribashkohen të sigurt me familjet e tyre” dhe të marrin ndihmë humanitare.
Një anëtar i këshillit ushtarak në pushtet të Sudanit, gjenerali Shams El Din Qabassi, i tha Arabiya TV se armëpushimi do të zgjaste 24 orë dhe nuk do të zgjatet.
Një reporter i Reuters tha se dëgjoi të shtënat e tankeve menjëherë pasi armëpushimi hyri në fuqi.
Nuk është e qartë se kush është fajtori në këtë situatë kaotike. RSF, në një postim në Facebook, akuzoi ushtrinë për shkeljen e marrëveshjes.
Një banor i tha Reuters se dëgjuan një sulm ajror në Omdurman, “qyteti binjak” i Khartoum-it në bregun përballë të Nilit.
Më parë, zhurmat e avionëve luftarakë dhe shpërthimet mund të dëgjoheshin në të gjithë Khartoum. Banorët e qyteteve Omdurman dhe Bahri thanë se dëgjuan zjarr kundërajror dhe shtëpitë e tyre u tronditën nga sulmet ajrore. Luftimet filluan gjithashtu në Sudanin perëndimor, sipas Kombeve të Bashkuara. /abcnews