Autoriteti Palestinez (PA) paralajmëroi se masat izraelite, duke përfshirë hyrjen e kolonëve në kompleksin e Xhamisë Al-Aksa të Kudsit Lindor, e tërheqin rajonin e Lindjes së Mesme drejt dhunës, transmeton Anadolu.
“Autoritetet okupuese izraelite po e tërheqin rajonin drejt dhunës, përshkallëzimit, tensionit dhe destabilitetit”, tha zëdhënësi i PA-së Nabil Abu Rudeineh në një deklaratë të transmetuar nga agjencia shtetërore e lajmeve Wafa.
Qindra izraelitë sot u futën me forcë në Al-Aksa, ndërsa disa kolonë ngritën flamuj izraelitë brenda kompleksit përpara se të ndaloheshin nga policia izraelite dhe të nxirreshin jashtë.
Hyrjet e kolonëve erdhën ndërsa Izraeli po përkujton ditën e tij kombëtare, e cila shënon krijimin e vendit mbi rrënojat e Palestinës. Kjo ditë quhet nga palestinezët si “Nakba”, ose Katastrofa.
Abu Rudeineh tha se bastisjet e kolonëve dhe ngritja e flamujve izraelitë brenda Al-Aksasë “tregon se qeveria izraelite po kërkon mënyra për të ndezur situatën”.
“Rrethimi i vendosur në qytetet palestineze në Bregun Perëndimor dhe bastisjet në qytete dhe kampe refugjatësh përbëjnë një dënim kolektiv të popullit palestinez”, shtoi ai.
Zëdhënësi palestinez i bëri thirrje administratës amerikane që të ndërhyjë menjëherë “për të ndaluar këto praktika të rrezikshme dhe për të ushtruar presion mbi Izraelin për të ndaluar të gjitha masat e tij të njëanshme”.
Tensionet janë rritur në të gjithë Bregun Perëndimor të pushtuar në muajt e fundit pas bastisjeve të përsëritura izraelite në qytetet palestineze.
Sipas shifrave palestineze, më shumë se 100 palestinezë janë vrarë nga forcat izraelite që nga fillimi i këtij viti. Gjashtëmbëdhjetë izraelitë janë vrarë gjithashtu në sulme të veçanta gjatë së njëjtës periudhë.