Ministritë e mbrojtjes së Britanisë, SHBA-së, Danimarkës dhe Holandës njoftuan se do të ofrojnë mbështetje me sisteme të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër dhe të mesme për Ukrainën, transmeton Anadolu.
Katër vendet u takuan në mbledhjen e Grupit të Kontaktit të Mbrojtjes për Ukrainën e cila u mbajt në Bruksel dhe në një deklaratë të përbashkët informuan se mbështetja e Ukrainës me sisteme të mbrojtjes ajrore është prioritet përballë sulmeve ajrore në rritje të Rusisë.
Duke njoftuar se Ukrainës do t’i ofrojnë sisteme të lidhura me qindra raketa të sistemit të mbrojtjes ajrore me rreze të shkurtër dhe të mesme, katër vendet kanë theksuar se pajisjet në fjalë do t’i shtojnë Ukrainës një fuqi të rëndësishme në kundërsulmin e saj.