RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Bastisja e përgjakshme e Izraelit që vrau 11 palestinezë e ktheu Nablusin në “fushë beteje”

bastisja-e-pergjakshme-e-izraelit-qe-vrau-11-palestineze-e-ktheu-nablusin-ne-“fushe-beteje”

Bastisja e përgjakshme e ushtrisë izraelite në qytetin e Nablusit të Bregut Perëndimor të pushtuar, që rezultoi me vrasjen e 11 palestinezëve dje, la pas një shkatërrim të madh dhe zi, raporton Anadolu.

Qyteti i Vjetër i Nablusit, i cili konsiderohet si një nga qytetet më të vjetra në botë, u kthye në një zonë lufte pas sulmit izraelit.

Forcat izraelite përdorën plumba të vërtetë, gaz lotsjellës, eksplozivë dhe mjete ajrore pa pilot për të sulmuar qytetin nga disa pika.

Forcat speciale të ushtrisë izraelite dhe Agjencisë së Inteligjencës së Brendshme Shin-Bet (Shabak) sulmuan zonën më të përqendruar historike të qytetit në mes të ditës, pa bërë asnjë dallim midis civilëve dhe kryengritësve, duke rezultuar në një masakër.

Si pasojë e sulmit, 11 persona, mes tyre 1 fëmijë dhe 2 të moshuar, humbën jetën dhe 102 persona u plagosën, 6 prej tyre në gjendje të rëndë. Mes të plagosurve ishin edhe dy gazetarë.

Rajoni është si të kishte ndodhur tërmet

Banorët e Nablusit pas tërheqjes së forcave izraelite e përshkruan situatën në rajon si “sikur të kishte ndodhur tërmet”.

Duke folur për Anadolu, Ahmed es-Saih, banor i qytetit të vjetër, tha se sulmi i forcave izraelite shkaktoi dëme të mëdha në rajon, u shkatërrua një shtëpi, u dëmtuan pjesë të një xhamie dhe një treg.

“Ne patëm një luftë të vërtetë prej rreth 4 orësh duke përdorur plumba, bomba dhe mjete ajrore pa pilot”, tha Saih.

Mutasim Kamil nga Nablusi tha: “Rajoni është si të kishte ndodhur tërmet”. Ai deklaroi se disa shtëpi në Qytetin e Vjetër që janë qindra vjeçare kanë pësuar dëme të mëdha.

Khalil Shahin e përshkroi bastisjen e forcave izraelite me fjalët: “Forcat speciale izraelite hynë në qytetin e vjetër në orën 09:30 të shoqëruar nga qen policie. Sapo ushtarët filluan të hapnin zjarr kur arritën në shtëpinë e synuar, u kërcënua jeta e civilëve në afërsi. Ushtarët përdorën eksploziv në më shumë se një pikë të shtëpisë që ata synuan. Me largimin e tyre u nxorrën 3 kufoma”.

Deklarata e Izraelit

Në deklaratën e ushtrisë izraelite thuhet se njësitë e ushtrisë rrethuan shtëpinë në zonën e qytetit të vjetër, ku tre persona dyshohet se po përgatiteshin të sulmonin.

Si pasojë e konfliktit të armatosur janë vrarë tre anëtarë të grupit të rezistencës së armatosur “Gropa e Luanit”, krahu i armatosur i Xhihadit Islamik në Kuds dhe Nablus.

Regjistrimet zanore të cilat thuhet se i përkasin 24-vjeçarit Hussam Bessam Islim, u shpërndanë në rrjetet sociale. Islim tha: “Ne jemi në hall, por nuk do të dorëzohemi. Nuk do t’i lëmë armët. Unë do të vdes si dëshmor. Mos i lini armët pas nesh”.

Ushtria izraelite herë pas here sulmon Nablusin, ku jetojnë rreth 200 mijë njerëz, duke përmendur likuidimin e grupit të “Luanëve”.

Forcat izraelite shpesh synojnë fëmijë, gra dhe civilë të moshuar në këto bastisje, siç ndodhin shpesh në të gjithë Palestinën e pushtuar dhe të rrethuar.

“Gropa e Luanit” me qendër në Nablus

Në Palestinë, grupi i armatosur që e quan veten “Gropa e Luanit” u shfaq për herë të parë në një paradë ushtarake në qytetin e vjetër të Nablusit në fillim të shtatorit të vitit të kaluar.

Grupi u formua nga anëtarë të grupeve të ndryshme të rezistencës palestineze të mbledhur nën një çati në Nablus.

“Gropa e Luanit” përbëhet kryesisht nga burra të armatosur të moshës 18-24 vjeç, shpjegon qëllimin e saj si mbrojtjen e Nablusit dhe rrethinave të tij nga ushtarët izraelitë.

Një ushtar izraelit u vra në një sulm të armatosur nga anëtarët e grupit “Gropa e Luanit” më 11 tetor 2022. Grupi kishte marrë më parë përgjegjësinë për pesë sulme të armatosura të veçanta kundër ushtarëve izraelitë dhe kolonëve hebrenj.

Ushtria izraelite kishte rrethuar qytetin duke kufizuar hyrjen dhe daljen nga Nablusi që nga ajo datë.

Izraeli në gatishmëri për kundërsulme

Pas bastisjes së përgjakshme në Nablus, forcat izraelite të sigurisë ishin në gatishmëri, veçanërisht në Kudsin Lindor të pushtuar, në rast hakmarrjeje.

Ministri i Sigurisë Kombëtare të Izraelit, Itamar Ben Gvir, në një deklaratë në llogarinë e tij në rrjetet sociale tha se kishte “biseduar me zyrtarë të policisë dhe ranë dakord për përforcimin e forcave policore në të gjithë vendin”.

Ben Gvir, i njohur për politikat e tij të ekstremit të djathtë dhe racist, shprehu “admirimin” e tij për forcat izraelite që kryen bastisjen e Nablusit dhe i falënderoi ata.

Zi dhe grevë në Palestinë

Pas represionit të përgjakshëm me viktima të mëdha, në Palestinë u mbajt një grevë gjithëpërfshirëse, ku mbizotëroi zija dhe zemërimi.

Si pjesë e grevës, komunat, vendet e punës, dyqanet dhe tregjet në Bregun Perëndimor të pushtuar dhe Kudsin Lindor si dhe në Gazën e bllokuar, lanë punët e tyre dhe rrugët kryesore mbetën të zbrazëta.

Related posts

Urimi i Myftiut të Kosovës, Naim ef. Tërnava me rastin e festës së Kurban – Bajramit 2022

admin

Gjermania vlerëson diplomacinë e Türkiyes për të ringjallur marrëveshjen e drithërave të Detit të Zi

admin

Izraeli ndalon udhëtimin e imamit të Xhamisë Al-Aksa, Shejh Ikrime

rezart morina