RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

BM përjashton Kinën nga projekti i ri bërthamor

bm-perjashton-kinen-nga-projekti-i-ri-berthamor

Britania e Madhe do të përjashtojë Kinën nga zhvillimi i projektit të ri të energjisë bërthamore të vendit ashtu që do të zotërojë 50 për qind të aksioneve dhe do të kërkojë investime të reja nga palët e treta për financimin e ndërtimit dhe funksionimit, sipas një deklarate.

Marrëveshja me pronarin e EDF-së, kompania e integruar britanike e energjisë, nënkupton përjashtimin nga projekti të China General Nuclear (CGN), me ç’rast CGN do të shesë 20 për qind të aksioneve të saj në zhvillim.

“Pas përfundimit të tij, ky megaprojekt do të furnizojë miliona shtëpi me energji të pastër, të përballueshme dhe të prodhuar në vend për dekadat e ardhshme”, thuhet në deklaratën e ministrit britanik të financave, Jeremy Hunt.

Britania do të sigurojë rreth 700 milionë funte (842 milionë dollarë) për centralin bërthamor Sizewell C në Anglinë juglindore, sipas deklaratës.

Njoftimi erdhi pasi kryeministri Rishi Sunak sinjalizoi të hënën se “epoka e artë” midis Britanisë dhe Kinës ka përfunduar, duke iu referuar një termi të sajuar nga paraardhësi i tij David Cameron në vitin 2015.

Gjatë fjalimit të tij në Londër, Sunak shtoi se gjithashtu ka marr fund edhe “ideja naive se tregtia do të çonte në reforma sociale dhe politike” në Kinë.

Duke folur në gostinë e Lordit të Bashkisë, një ngjarje vjetore ku kryeministri u drejtohet udhëheqësve të biznesit, personaliteteve ndërkombëtare dhe ekspertëve të politikës së jashtme, Sunak tha se Kina paraqet një “sfidë sistematike” për “vlerat dhe interesat e Britanisë”.

Fjalimi i Sunak vjen pasi qeveria dënoi Kinën rreth raportimeve për rrahjen dhe më pas ndalimin për një kohë të shkurtë të gazetarit të BBC-së nga policia kineze gjatë mbulimit të protestave kundër bllokimit të COVID-19.

“Në vend që të dëgjojë protestat e popullit të saj, qeveria kineze ka zgjedhur të vazhdojë me goditje, duke përfshirë edhe sulmin ndaj gazetarit të BBC-së”, tha Sunak.

“Mediat dhe parlamentarët tanë duhet të jenë në gjendje t’i nxjerrin në pah këto çështje të pasanksionuara, duke përfshirë thirrjen e abuzimeve në Xinjiang – dhe kufizimin e lirisë në Hong Kong”, shtoi ai, duke iu referuar provincës veriperëndimore me një popullsi të madhe muslimanësh ujgurë.

Gjatë garës për lidershipin konservator në verë, Sunak e quajti Kinën “kërcënimin më të madh afatgjatë për Britaninë dhe ekonominë globale dhe sigurinë kombëtare”. /atsh

Related posts

Phillips: Shkopi po përdoret vetëm ndaj Kosovës, presioni ndaj Kurtit i padrejtë

rezart morina

SHBA, Harvey Weinstein dënohet më 16 vite në rastin për përdhunim

rezart morina

Ushtria izraelite vret 15 palestinezë në sulmin në jug të Gazës

admin