RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Çavuşoğlu: Tani është koha të fokusohemi në armëpushimin e Ukrainës

cavusoglu:-tani-eshte-koha-te-fokusohemi-ne-armepushimin-e-ukraines

Shefi i diplomacisë turke theksoi se falë marrëveshjes janë hequr “jo vetëm pengesat për grurin ukrainas, por edhe ato për grurin dhe plehrat ruse, duke ndihmuar për të ushqyer një “botë të uritur”

Ministri i Punëve të Jashtme i Turqisë, Mevlüt Çavuşoğlu, pas marrëveshjes së javës së kaluar për eksportet e grurit ka deklaruar se “tani është koha të fokusohemi në ndërmjetësimin e një armëpushimi” midis Rusisë dhe Ukrainës, raporton Anadolu Agency (AA).

Duke folur në një konferencë për media me homologun e tij gjeorgjian, Ilia Darchiasvili, shefi i diplomacisë turke vlerësoi marrëveshjen e eksportit të grurit, të nënshkruar të premten e kaluar në Istanbul me Kombet e Bashkuara (OKB), Rusinë dhe Ukrainën.

Çavuşoğlu theksoi se falë marrëveshjes janë hequr “jo vetëm pengesat për grurin ukrainas, por edhe ato për grurin dhe plehrat ruse, duke ndihmuar për të ushqyer një “botë të uritur”.

Marrëveshja u arrit nga palët pas bisedimeve në Istanbul për të formuar një qendër koordinimi për të kryer inspektime të përbashkëta në hyrjet dhe daljet e porteve dhe për të garantuar sigurinë e rrugëve.

E vlerësuar në nivel ndërkombëtar për rolin e saj ndërmjetësues, Turqia është koordinuar me Moskën dhe Kievin për të hapur një korridor nga porti ukrainas i qytetit Odessa për të filluar dërgesat globale të grurit, që janë bllokuar për shkak të luftës Rusi-Ukrainë që nisi më 24 shkurt.

Duke shpresuar se marrëveshje do të zbatohet pa asnjë ndërprerje dhe problem, Çavuşoğlu tha se gruri më pas mund të transportohet në vendet që kanë nevojë urgjente.

Nëse zbatohet me sukses marrëveshja e Istanbulit, theksoi Çavuşoğlu, “mund të rritet jashtëzakonisht besimi midis Rusisë dhe Ukrainës”.

“Tani është koha të fokusohemi në një armëpushim. Ky nuk është vetëm një proces që do të kryhet në nivelin e ministrave të jashtëm”, tha Çavuşoğlu, duke shprehur gatishmërinë e Turqisë për të organizuar dhe ndërmjetësuar bisedimet midis Rusisë dhe Ukrainës drejt paqes së qëndrueshme.

Duke e mbajtur derën hapur për të dy vendet, respektivisht Ukrainën dhe Rusinë, Turqia është vlerësuar për rolin e saj udhëheqës që bashkon vendet për të ecur drejt paqes, përfshirë një takim të ministrave të Jashtëm të dy vendeve të mbajtur në muajin mars në vendpushimin bregdetar turk Antalya. /aa

Related posts

Tërmet me magnitudë 7.2 ballë në kufirin Kinë-Taxhikistan

rezart morina

Hill në Luginë të Preshevës: Shkëmbimi i territoreve nuk është në agjendë të ShBA-së

rezart morina

Osmani: Kapërcimi i gjuhës së urrejtjes kërkon kohë

admin