RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Çfarë ka ndodhur mes Trump dhe Bin Salman?

cfare-ka-ndodhur-mes-trump-dhe-bin-salman?

SHBA po distancohet nga Arabia Saudite në momentin e saj më të vështirë

Për vite me radhë, Shtetet e Bashkuara dhe Arabia Saudite ndërtuan një aleancë të fortë të bazuar mbi sigurinë, energjinë dhe investimet ekonomike.

Por sot, në një moment kur Riadi përballet me kërcënime të drejtpërdrejta nga Irani dhe rebelët Huthi në Jemen, marrëdhënia mes dy aleatëve duket më e ftohtë se kurrë.

Sipas raportimeve të mediave amerikane, princi i kurorës saudite Mohammed bin Salman i kërkoi presidentit Donald Trump mbështetje ushtarake kundër Huthëve.

Fillimisht Trump pranoi dhe urdhëroi përgatitjen e sulmeve ajrore, por më pas ndryshoi qëndrim duke vendosur të mos ndërhynte.

Vendimi u interpretua si një sinjal se mbështetja tradicionale amerikane ndaj Arabisë Saudite nuk është më e garantuar.

Trump nuk dëshiron të hapë një front të ri lufte, por ky qëndrim rrezikon të dobësojë një marrëdhënie ku familja mbretërore saudite ka investuar shumë, si në aspektin politik ashtu edhe ekonomik.

Që nga mandati i parë i Trump, Mohammed bin Salman – i njohur shkurt si MBS – ndërtoi lidhje të afërta me administratën amerikane përmes marrëveshjeve të mëdha tregtare dhe investimeve.

Fondi sovran saudit financoi edhe projekte të lidhura me familjen Trump, ndërsa kompanitë amerikane fituan kontrata të rëndësishme në Arabinë Saudite.

Pavarësisht kritikave ndërkombëtare për mungesën e lirive politike në Arabinë Saudite dhe vrasjen e gazetarit Jamal Khashoggi në vitin 2018, administrata Trump ruajti marrëdhëniet e afërta me Riadin.

Por lufta në Iran ka ndryshuar interesat e të dy vendeve. Arabia Saudite është një nga aleatët më të rëndësishëm të SHBA-së në Lindjen e Mesme prej dekadash.

Me Trumpin dhe Bin Salman marrëdhënia mori një dimension të ri. Trump zgjodhi Riadin si destinacionin e parë të vizitës së tij zyrtare si president, ndërsa princi saudit prezantoi projektin e tij për modernizimin e vendit.

Megjithatë, tensionet nuk u zhdukën. SHBA-ja dhe Arabia Saudite kanë pasur qasje të ndryshme ndaj Iranit. Para nisjes së luftës, Bin Salman kërkoi një zgjidhje diplomatike, duke paralajmëruar se një konflikt i gjerë mund të destabilizonte rajonin.

Pas sulmeve amerikane ndaj Iranit, qëndrimet e Riadit dhe Uashingtonit filluan të largoheshin. Irani nisi sulme ndaj Arabisë Saudite si kundërpërgjigje ndaj veprimeve amerikane, ndërsa Riadi u përball me një realitet të ri: aleati i tij kryesor nuk ishte më i gatshëm të garantonte sigurinë e tij në çdo situatë.

Një tjetër pikë fërkimi, ka qenë refuzimi i Arabisë Saudite për t’iu bashkuar Marrëveshjeve të Abrahamit dhe për të normalizuar marrëdhëniet me Izraelin, një objektiv që Trump e ka kërkuar vazhdimisht.

Ndërkohë, kriza e sigurisë ka ndikuar drejtpërdrejt ekonominë saudite. Bllokimi i ngushticës së Hormuzit nga Irani dhe kërcënimet ndaj rrugëve detare nga Houthit kanë kufizuar eksportet e naftës.

Arabia Saudite është detyruar të kërkojë alternativa për transportin e energjisë, por dëmet ekonomike janë të dukshme. Për më tepër, lufta shumëvjeçare kundër Huthëve nuk ka sjellë rezultatet e pritshme.

Pikërisht për këtë arsye, bin Salman kërkoi ndërhyrjen amerikane, por këtë herë pa marrë përgjigjen që priste.

Marrëdhënia mes SHBA-së dhe Arabisë Saudite mbetet e rëndësishme, por krizat e fundit kanë treguar se interesat e dy vendeve nuk përputhen gjithmonë.

Aleanca që dikur dukej e palëkundur po përballet sot me një periudhë pasigurie, ku siguria, ekonomia dhe politika rajonale po ndryshojnë ekuilibrat e saj. tesheshi

Related posts

Forcat izraelite bastisin një fshat pranë një pike të OKB-së në Sirinë jugore

Kushtrim Guraj

Petkoviq në Graçanicë për festën e Vidovdanit

admin

Princi Charles pranoi 1 milion funte nga familja e Osama Bin Laden – raporti

admin