Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, njoftoi se të paktën gjashtë persona kanë vdekur dhe 53 të tjerë janë plagosur nga shpërthimi në rrugën Istiklal pranë sheshit Taksim në qendër të Istanbulit, raporton Anadolu Agency (AA).
Duke folur në një konferencë shtypi përpara nisjes për në Indonezi për të marrë pjesë në samitin e 17-të të G20-ës, ai tha se bazuar në informacionet fillestare nga guvernatori i qytetit, ka sinjale se shpërthimi mund të ketë qenë akt terrorist.
Vëzhgimet e para tregojnë gjithashtu se një grua ka pasur rol në shpërthim, tha ai, duke shtuar se të gjithë autorët do të identifikohen.
“Të jetë i sigurt kombi ynë se autorët e incidentit në rrugën Istiklal do të dënohen ashtu siç e meritojnë”, tha Erdogan.
“Përpjekjet për ta nënshtruar Turqinë dhe kombin turk përmes terrorizmit nuk do të arrijnë qëllimin e tyre as sot e as nesër, ashtu siç nuk e arritën dje”, shtoi ai.
Më herët, Guvernatori i Istanbulit, Ali Yerlikaya, tha se shpërthimi ndodhi rreth orës 16:20 me kohën lokale, ndërsa policia dhe ekipet e urgjencës dolën në vendngjarje. Shkaku i shpërthimit nuk ishte menjëherë i qartë.
Endonezya Ziyareti Öncesi Basın Toplantısıhttps://t.co/sDGgKE7qeI
— Recep Tayyip Erdoğan (@RTErdogan) November 13, 2022