RTV AHIRETI
FeaturedKosovëLajmeLajmet

Formohet Komisioni për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes Kosovë-Serbi

formohet-komisioni-per-monitorimin-e-zbatimit-te-marreveshjes-kosove-serbi

Bashkimi Evropian ka njoftuar se të martën është themeluar Komisioni i përbashkët për monitorimin e zbatimit të Marrëveshjes së arritur mes Kosovës dhe Serbisë, për normalizimin e marrëdhënieve.

Lajmi për themelim të Komisionit është bërë i ditur përmes një komunikate.

Sipas BE-së, anëtar i këtij Komisioni të përbashkët do të jetë i dërguari i posaçëm i BE-së për dialog, Miroslav Lajçak, i cili do ta kryesojë atë trup, në emër të BE-së.

Kosova do të përfaqësohet nga ambasadori i saj në Bruksel, Agron Bajrami, ndërsa Serbinë do ta përfaqësojë, shefi i delegacionit të saj për dialog, Petar Petkoviq.

“BE-ja, si ndërmjetësuese e dialogut Beograd-Prishtinë, së bashku me Kosovën dhe Serbinë, si palë në Dialog për normalizimin e marrëdhënieve të tyre, kanë krijuar sot një Komitet të Përbashkët Monitorues për të mbikëqyrur zbatimin e Marrëveshjes në rrugën e normalizimit ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe Aneksin e Zbatimit të saj”, thuhet në një komunikatë.

BE-ja ka njoftuar se ky Komision i përbashkët do të takohet rregullisht në Bruksel.

Ndërsa termat e referencës pritet të finalizohen dhe miratohen në takimin e parë të Komitetit, i cili do të zhvillohet pas takimit të radhës të dialogut të nivelit të lartë, i planifikuar të mbahet në Bruksel të martën më 2 maj.

Për datën e këtij takimi raportoi edhe teve1.info para disa ditësh.

Marrëveshja Kosovë-Serbi është arritur më 27 shkurt në Bruksel, ndërsa pajtueshmëria për aneksin e zbatimit, më 18 mars në Ohër.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka thënë të martën gazetarëve se Marrëveshja nuk paraqet tërësi të elementeve, por paraqet një pako në të cilën nuk mund të shkëputësh asnjë pjesë.

“Ne jemi zotuar, dhe e kemi ripërsëritur qëndrimin tonë, për zbatim të plotë të kësaj pakoje, të kësaj Marrëveshjeje bazë, dhe aneksit përkatës për implementim, dhe tash besoj që fjalën e ka Brukseli që ta detyrojë Serbinë për këtë“, ka thënë Kurti.

Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë: pasaportat, diplomat dhe targat.

Kosova dhe Serbia kanë arritur dhjetëra marrëveshje prej fillimit të dialogut, por shumica e tyre nuk janë zbatuar dhe palët kanë fajësuar njëra-tjetrën për ngecje./REL

Related posts

Kryeministri grek nis vizitën shtetërore në Indi

admin6

Nuk do të ketë takim direkt Putin-Zelensky e as negociata, thotë diplomati rus

admin

Vazhdojnë punimet për linjën hekurudhore Fushë Kosovë – Mitrovicë

admin6