Futbollisti i klubit turk Beşiktaş, Josef de Souza vizitoi sot në spital të riun 13-vjeç Arda Can Ovun, i cili u shpëtua 128 orë pas tërmetit nën rrënojat e një ndërtese në Hatay të Turqisë, raporton Anadolu.
Arda pasi u shpëtua nga rrënojat e një ndërtese në Antakya u transferua në spitalin e qytetit në Adana, ku sot pati një vizitë befasuese.
Futbollisti brazilian Josef de Souza vendosi t’i bëjë një surprizë 13-vjeçarit, i cili është tifoz i denjë i skuadrës “bardh e zi” të Istanbulit. Arda u befasua shumë, por me buzëqeshje në fytyrë. Gëzimi më i madh ishte kur lojtari i tij i preferuar i dhuroi fanellën e nënshkruar të Beşiktaş-it.
“Të uroj. Ti je hero i vërtet. Ti je hero i kombit turk. Të gjithë e dinë se sa i fortë je. Kam kënaqësinë e madhe që bëj foto me ty. Të dëshiroj shërim të shpejtë”, tha Josef de Souza gjatë bisedës me Arda-n.
Arda në bisedën me gazetarët e Anadolu ndau momente të kaluara nën rrënojat në Hatay. Ai tha se në 5-katëshen e shembur kishte jetuar me nënën, babanë dhe tre vëllezërit e tij.
“Isha i bllokuar, përpiqesha të largoja gurët ku ishte bllokuar koka e vëllait. Ambient i errët, nuk shihej asgjë. Ishte ftohtë, isha i uritur dhe i etur. Nuk e dija se kisha kaluar gjashtë ditë nën rrënoja, unë mendoja se ishin një apo dy ditë. Kur më nxorën thash: ma shpëtuan jetën”, tregon Arda.