RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gjermania po ndryshon sjelljen ndaj refugjatëve

gjermania-po-ndryshon-sjelljen-ndaj-refugjateve

Dhjetëra persona nga vende të ndryshme të botës, në një mëngjes të kësaj jave, u rreshtuan para ish-spitalit të shëndetit mendor në Berlin për të aplikuar për azil në Gjermani.

Në mesin e tyre ishin edhe dy gra të moshuara nga Moldavia. Pranë tyre ishte ulur një i ri somalez, teksa më tutje një grup prej pesë të rinjsh pakistanezë bisedonin me zë të lartë, teksa qëndronin mbrapa dy grave shtatzëna nga Vietnami.

Këta janë në mesin e më shumë se 10 mijë emigrantëve që kanë aplikuar për azil në kryeqytetin gjerman këtë vit dhe kanë ardhur në kohën kur Berlinit po i mungon hapësira për t’i akomoduar.

“Situata nuk është shumë e mirë për momentin”, ka bërë të ditur Sascha Langenbach, zëdhënësi i zyrës shtetërore për çështjet e refugjatëve në Berlin, në një intervistë këtë javë. “Kjo është shumë më tepër nga sa prisnim vitin e kaluar”.

Ish-spitali i shëndetit mendor në lagjen Reinickendorf të Berlinit u shndërrua në qendër të regjistrimit për azilkërkuesit në vitin 2019 dhe mund të strehojë deri në 1 mijë emigrantë. Por qendra është plot.

Zyrtarët kanë vendosur edhe 80 shtretër shtesë në kishën e afërt. Përtej kësaj, ka edhe 100 strehimore të tjera për azil në Berlin, por edhe ato kanë mbushur kapacitetet.

Qeveria shtetërore e Berlinit ka deklaruar se do të krijojë një hapësirë në ish-aeroportin Tempelhof për emigrantët, do të vendosë tendë të madhe në qendrën e regjistrimit të azilkërkuesve dhe do të hapë një ish-dyqan pajisjesh, hotele dhe bujtina në qytet, për të siguruar edhe 5.500 shtretër të tjerë, për më shumë emigrantë që pritet të vijnë deri në fund të vitit.

Madje nuk ka vende të mjaftueshme as në kopshte dhe shkolla. E përveç azilkërkuesve, Berlini ka pranuar edhe 11 mijë refugjatë ukrainas të tjerë këtë vit, të cilët kanë ikur nga lufta ruse në vendin e tyre.

Mungesa e hapësirës dhe e parave për emigrantët dhe refugjatët ukrainas nuk është problem vetëm për Berlinin. Është problem në të gjithë Gjermaninë, ku zyrtarët lokalë dhe shtetërorë kanë kërkuar më shumë fonde nga qeveria federale, por pa sukses.

Më shumë se 220 mijë njerëz kanë aplikuar për azil në Gjermani midis muajit janar dhe gusht – shumica prej tyre nga Siria, Afganistani, Turqia, Moldavia dhe Gjeorgjia. Ndërsa gjatë gjithë vitit 2022, 240 mijë aplikime për azil janë regjistruar në Gjermani.

Kjo shifër është shumë më pak krahasuar me atë të periudhës 2015-2016, kur më shumë se 1 milion njerëz kërkuan azil në Gjermani. Por Gjermania ka pranuar gjithashtu më shumë se 1 milion ukrainas që nga shpërthimi i luftës në vitin 2022. Ndryshe nga të tjerët që mbërrijnë, ukrainasit marrin menjëherë statusin e qëndrimit në Gjermani dhe 26 vendet e tjera të Bashkimit Evropian.

Gjermanët kanë mirëpritur azilkërkuesit me lule, çokollata dhe lodra kur ata mbërritën për herë të parë në vitin 2015, dhe shumë prej tyre madje hapën edhe dyert e shtëpive për t’i strehuar ukrainasit në vitin 2022, e tani qëndrimi i tyre ndaj të ardhurve të rinj ka ndryshuar thellësisht.

“Pas dy vjetësh krizë (koronavirusi), më pas lufta e Ukrainës e pasuar me çmimet e rritura në treg – ngrohja, gazi e ushqimi – ndonjëherë është mjaft e vështirë të bindësh njerëzit se duhet të ndajnë hapësirën me njerëzit që sapo kanë ardhur”, ka shtuar Langenbach.

Partia e ekstremit të djathtë të Gjermanisë, Alternativa për Gjermaninë, ose AfD, ka shfrytëzuar me sukses qëndrimet e ftohta të gjermanëve ndaj emigrantëve. Sipas sondazheve, kjo parti tashmë është pozicionuar në vendin e dytë në shkallë kombëtare me rreth 21 për qind të përkrahjes, shumë më shumë se 10.3 për qind që ajo arriti të fitonte në zgjedhjet e fundit federale të 2021-tës.

Ky sukses i AfD-së në sondazhe dhe retorika e pamëshirshme antimigrante e liderëve të partisë, duke përfshirë thirrjet për mbylljen e kufijve të Gjermanisë, për të parandaluar hyrjen e emigrantëve, kanë ushtruar presion mbi qeveritë kombëtare dhe shtetërore dhe partitë e tjera kryesore për të ashpërsuar qasjen e tyre ndaj emigrantëve.

Ashpërsimi i kontrollit

Të mërkurën, ministri i Brendshëm i Gjermanisë njoftoi se vendi do të rrisë kontrollet kufitare përgjatë “rrugëve të kontrabandës” me Poloninë dhe Republikën Çeke, për të parandaluar hyrjen e emigrantëve të jashtëligjshëm.

Ndërkaq në qershor, kancelari gjerman, Olaf Scholz, shprehu përkrahje për planet e ndalimit të hyrjes së emigrantëve në BE, derisa të rishikohen dokumentet e tyre për azil, duke argumentuar se marrëveshjet ekzistuese të bllokut për ndarjen e barrës së azilkërkuesve midis vendeve të ndryshme evropiane janë “plotësisht jofunksionale”.

Gjermania ka pranuar më shumë emigrantë se shumica e vendeve të tjera evropiane, por këto përpjekje janë ende të zbehta në krahasim me vende të tilla si Turqia dhe Libani, të cilat strehojnë miliona emigrantë nga Siria.

Pavarësisht ndryshimit të mikpritjes ndaj emigrantëve në Gjermani, ata që arrijnë në shtetin gjerman aplikojnë për azil, në përgjithësi janë mirënjohës.

Abdullah al-Shweiti, nga Homs, Siria, erdhi së fundmi në Berlin dhe po priste rezultatet e kontrollit mjekësor në qendrën e azilit. Ai ndihej i lehtësuar që ishte “në një vend të sigurt”.

29-vjeçari ka treguar se kishte ikur nga vendlindja, sepse shtëpia e tij ishte bombarduar në luftë dhe nuk donte të bëhej pjesë e ushtrisë. Ai i kishte paguar 3 mijë euro kontrabandistët që e ndihmuan të shkonte nga Libani në Evropë. Ai kishte marrë rrugën e Ballkanit, duke ecur me të rinj sirianë në veri, përmes pyjeve të Bullgarisë. Ata kishin udhëtuar në këmbë, me taksi dhe me autobus derisa kontrabandistët i sollën në kryeqytetin gjerman.

Mirbeycan Gurhan, burrë kurd nga Bingoli i Turqisë lindore, kishte ikur si shkak i shtypjes nga autoritetet turke. Ai i pagoi 6 mijë euro kontrabandistët për të udhëtuar përmes aeroplanit nga Ankaraja në Beograd dhe më pas me automjet për në Gjermani.

“Shpresoj që të kem një të ardhme më të mirë këtu. Shpresoj të gjej punë”, është shprehur 24-vjeçari.

Michael Elias, kreu i kompanisë “Tamaja”, që drejton qendrën e regjistrimit të azilkërkuesve në Berlin, ka thënë se e ardhja e emigrantëve nga e gjithë bota është thjesht një pasqyrim i krizave të shumta anembanë globit, si ndryshimet klimatike dhe luftërat, dhe që Gjermania ka nevojë të përgatitet edhe për më shumë njerëz që do të vijnë. /koha

Related posts

Vitaminat që ju duhen patjetër në vjeshtë për sistemin imunitar

rezart morina

Mungojnë deputetët e pozitës, dështon shqyrtimi i peticionit të Sindikatës së Policisë

admin

Situatë e qetë në Zveçan, Rakiq e Simiq prezent

rezart morina