RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

Gjukanoviq dhe Millatoviq në rundin e dytë të zgjedhjeve për president të Malit të Zi

gjukanoviq-dhe-millatoviq-ne-rundin-e-dyte-te-zgjedhjeve-per-president-te-malit-te-zi

Presidenti veteran i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, do të përballet në balotazh me ish-ministrin e Ekonomisë, Jakov Millatoviq, më 2 prill, pasi asnjëri prej shtatë kandidatëve në garën për president nuk kanë arritur të fitojnë 50 për qind të votave.

Qytetarët e Malit të Zi kanë votuar të dielën për të zgjedhur presidentin e vendit.

Sipas Qendrës për Tranzicion Demokratik, pjesëmarrja në zgjedhje ka shkuar në 63.6 për qind.

Gjukanoviq ka thënë se është i kënaqur me rezultatin.

“Kam fituar më shumë se 120.000 vota, ky është rezultat i vlefshëm. Kjo është përparësi serioze ndaj kandidatit tjetër. Ne jemi të gëzuar për një nivel të tillë të mbështetjes, dhe kjo është bazë e mirë që do të na çojë drejt fitores”.

Ish-ministri Millatoviq, ekonomist pro-evropian nga lëvizja Evropa Tani, ka thënë se rezultati i tij përbën fitore në këto zgjedhje.

“Kam premtuar se do të fitojmë, dhe fituam. Kjo është fitore për të gjithë ata që janë diskriminuar në 30 vjetët e fundit, fëmijët e të cilëve janë larguar nga Mali i Zi, për ata që nuk ka pasur drejtësi. Ne do ta dërgojmë Gjukanoviqin në pension politik, më 2 prill”.

Rezultati zyrtar nuk pritet të publikohet disa ditë, për shkak të shqyrtimit të ankesave.

Gjukanoviq ka shërbyer si president, ose kryeministër, i Malit të Zi, për 33 vjet.

Përveç Gjukanoviqit dhe Millatoviqit, në garë kanë qenë edhe: Andrija Mandiq, politikan pro-rus dhe pro-serb, Alleksa Beçiq, ish-kryetar i Kuvendit të Malit të Zi dhe udhëheqës i Demokratëve; Goran Danilloviq, kandidat i koalicionit Mali i Zi i Bashkuar; Draginja Vuksanoviq Stankoviq nga Partia Socialdemokrate dhe Jovan Joxhir Radulloviq, i njohur për numrin e madh të ndjekësve në mediat sociale.

Mali i Zi, vend anëtar i NATO-s, ka rreth 625.000 banorë.

Të drejtë vote në këto zgjedhje kanë pasur 542.154 qytetarë. /rel

Related posts

Mustafi publikon pamje të xhandarmërisë serbe në Luginë të Preshevës

Muhamet Ramadani

Shoqata Mavi Marmara përgatitet të nisë një tjetër flotë anijesh me ndihma për Gazën

Muhamet Ramadani

Kuvajt, 39 persona humbin je’tën nga zj’arri në rajonin Mangaf

Muhamet Ramadani