Ish-kryeministri i Malajzisë, Najib Razak, është dërguar në burg për ta vuajtur dënimin prej 12 vjetësh, pasi gjykata më e lartë ne vend e refuzoi apelimin e tij.
Akuzat për Razakun 60 vjeç, lidhen me një skandal korrupsioni, ku është i përfshirë edhe fondi shtetëror “1Malasyia Development Berhad (1MDB), raportoi BBC-ja të martën.
Ai është dënuar në korrik të vitit 2020, por ishte liruar me kusht gjatë procedurës së apelit.
Gjykata po ashtu e ka hedhur poshtë kërkesën e Nijabit për ta shtyrë dënimin e tij. Ndërkohë, Nijabi ka vazhduar ta mohojë ndonjë keqbërje.
Në vitin 2020, një gjykatë e kishte shpallur fajtor për shtatë akuza – të përqendruara në një total prej 9.4 milionë dollarëve, të cilat u transferuan nga SRC International – një ish njësi e 1MDB, në llogaritë e tij private.
Ai u dënua me 12 vjet burgim dhe një gjobë prej 46.8 milionë dollarë.
Ekipi i mbrojtjes kishte argumentuar se Najib ishte shtyrë të besonte se fondet në llogaritë e tij ishin dhuruar nga familja mbretërore saudite në vend që të shpërdoroheshin nga fondi shtetëror.
Ata gjithashtu pretenduan se ai ishte mashtruar nga këshilltarët financiarë, veçanërisht financuesi i arratisur Jho Low, i cili është akuzuar si në SHBA ashtu edhe në Malajzi. /koha