Ushtria izraelite vazhdoi sulmet ndaj disa qyteteve kufitare në jug të Libanit, përfshirë bombardimet me artileri, shembjen e shtëpive dhe djegien e tokave bujqësore, pavarësisht armëpushimit, raportuan mediat shtetërore libaneze, transmeton Anadolu.
Agjencia Kombëtare e Lajmeve, zyrtare e Libanit, tha se bombardimet izraelite me artileri shënjestruan vendbanimin Mansouri në Governoratin e Jugut, ndërsa forcat izraelite kryen operacione me buldozerë në Houla, në Governoratin Nabatieh.
Po ashtu në Nabatieh, forcat izraelite të dislokuara në Khiam hodhën në erë shtëpi në lagjen perëndimore pranë shkollave Al-Mabarrat, ndërsa u dëgjuan shpërthime të njëpasnjëshme dhe në zonë u ngritën shtëllunga të dendura tymi.
Forcat izraelite gjithashtu u vunë zjarrin tokave bujqësore dhe pronave brenda qytetit, duke shkaktuar përhapjen e zjarreve në disa zona, tha agjencia.
Zhvillimet përkuan me lëvizjet e vazhdueshme ushtarake izraelite në zonë, në një kohë kur tensionet dhe vigjilenca mes banorëve janë shtuar, shtoi agjencia.
Izraeli vazhdon sulmet ndaj Libanit pavarësisht një marrëveshjeje kuadër të sponsorizuar nga SHBA-ja, të nënshkruar mes Beirutit dhe Tel Avivit më 26 qershor, e cila parashikon tërheqjen graduale të Izraelit nga të gjitha territoret e pushtuara të Libanit në këmbim të dislokimit të ushtrisë libaneze atje dhe çarmatimit të grupeve të armatosura, duke iu referuar Hezbollahut.
Që nga 2 marsi, sulmet izraelite ndaj Libanit kanë vrarë 4.348 persona dhe kanë plagosur 12.307 të tjerë, ndërsa më shumë se 1 milion persona janë zhvendosur, sipas autoriteteve libaneze.
Izraeli pushton zona në jug të Libanit, disa prej të cilave prej dekadash dhe të tjera që nga lufta e mëparshme mes viteve 2023 dhe 2024, ndërsa gjatë sulmeve të tanishme ka avancuar më shumë se 10 kilometra brenda territorit të Libanit.
Izraeli gjithashtu pushton territore palestineze dhe siriane dhe vazhdon të refuzojë tërheqjen dhe krijimin e një shteti të pavarur palestinez, siç parashikohet në rezolutat përkatëse të OKB-së.

