RTV AHIRETI
LajmeRajon dhe Botë

“Ta takoj e le të vdes!”: ç’tregon kjo për marrëdhënien tonë me pushtetin?

“ta-takoj-e-le-te-vdes!”:-c’tregon-kjo-per-marredhenien-tone-me-pushtetin?

Nga Enveri te Edi, puthëdorja politike vazhdon të mbijetojë nën forma të reja

Pesë orë rrugë për të takuar kryeministrin. Jo për t’i kërkuar llogari, jo për t’i dorëzuar një kërkesë, jo për ta pyetur se çfarë ka bërë qeveria me paratë e qytetarëve. Por për ta falënderuar.

Dhe jo vetëm aq, por për ta parë nga afër, me atë emocionin që zakonisht rezervojmë për një figurë që e kemi kthyer në simbol.

Rasti i emigrantit që udhëtoi nga Greqia drejt Pogradecit për të takuar Edi Ramën është një episod i vogël, por fotografia që krijon është e madhe.

Shqiptarët kanë një marrëdhënie të çuditshme me pushtetin. E kundërshtojnë me pasion, e shajnë me kreativitet, votojnë kundër tij dhe, sapo mendojnë se pushteti u ka bërë një të mirë, mund ta trajtojnë me një mirënjohje që i afrohet devocionit.

Kjo nuk është shpikje e demokracisë së tranzicionit. Është një mbetje e vjetër e kulturës politike shqiptare.

Enver Hoxha e çoi këtë marrëdhënie në ekstrem. Në Shqipërinë komuniste, udhëheqësi u vendos në qendër të propagandës dhe u paraqit si mishërim i shtetit, partisë dhe suksesit kombëtar.

Kulti nuk ishte një emocion spontan i turmës, por një sistem i ndërtuar politikisht. Sot është e pamundur dhe e pasaktë të vendosësh shenjën e barazimit mes Hoxhës dhe Ramës.

Por mund të krahasosh një zakon: personalizimin e të mirës publike. Dikur thuhej: “Enveri na dha”. Sot thuhet: “Rama na dha”. Ndryshimi është kolosal në sistem, por fjalia ka ruajtur një logjikë të vjetër.

Shteti zhduket nga historia dhe mbetet vetëm personi. Dhe kjo është ajo që duhet të na shqetësojë. Sepse kryeministri nuk është pronar i pensioneve, rrugëve, ligjeve apo marrëveshjeve shtetërore.

Ai është administrues i përkohshëm i pushtetit që i jepet nga qytetarët. Kur kjo harrohet, demokracia fillon të prodhojë një paradoks qesharak: qytetari i falënderon politikanin për paratë e veta dhe pastaj ndihet me fat nëse arrin ta përqafojë.

Ndoshta ky është versioni më modern i kultit të individit: jo më portreti i udhëheqësit mbi tavolinë, por një selfie të.

Diktatura kishte monumentet. Demokracia ka kamerat. Dhe mjerisht, njeriu që kërkon të adhurojë nuk e ka gjithmonë problem të përshtatet me teknologjinë. tesheshi

Related posts

Rrahmani i reagon Kurtit: Kurrë dhe me asnjë çmim nuk do të votoj ligje që cenojnë familjen

Muhamet Ramadani

Presidenti Erdogan do të vizitojë Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Etiopinë javën e ardhshme për bisedime

Kushtrim Guraj

ICU: Gjermania kurrë nuk ka parë kaq shumë njerëz të sëmurë

admin