Kosova vazhdon të jetë ndër vendet më të izoluara në botë kur bëhet fjalë për lëvizje pa viza.
Pasaporta e Kosovës është renditur e 104-ta, të cilin vend e ndajnë edhe Bangladeshi e Libia, meqë me këto tri pasaporta mund të lëvizet në vetëm 41 shtete pa regjim të vizave.
Raporti është publikuar të mërkurën nga kompania e njohur për konsulencë “Henley & Partners”, me bazë në Londër. Sipas kompanisë, të dhënat janë marrë nga Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror (IATA).
“Kjo është databaza më e madhe dhe me e saktë e informacionit të udhëtimit”, thuhet në përshkrimin e “Henley & Partners”. “Indeksi përfshin 199 pasaporta të ndryshme dhe 227 destinacione. I përditësuar çdo tremujor, Indeksi i Pasaportave Henley konsiderohet mjeti standard referues për qytetarët globalë dhe shtetet sovrane kur vlerësohet një pasaportë në spektrin global të lëvizshmërisë”.
Pasaporta më e fuqishme mbetët ajo e Japonisë. Me të mund të lëvizet pa viza në 193 vende.
Pasaporta e Shqipërisë është në vendin e 53-të për nga fuqia, pasi me të mund të lëvizet në 115 vende pa viza.
Përfundi Kosovës janë listuar vetëm edhe 9 pasaporta. E fundit është ajo e Afganistanit, me të cilën mund të lëvizët lirshëm në vetëm 27 vende.