Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka takuar kryetarët e komunave, ku kanë diskuar për nivelin lokal dhe për iniciativat e Qeverisë.
Kurti gjatë fjalimit të tij tha se për herë të parë në takim po marrin pjesë edhe kryetarët e komunave veriore, teksa shtoi se në këto takime ka më së shumti përfaqësues të qytetarëve, transmeton Telegrafi.
“Takimet koordinuese të nivelit qendror dhe atij lokal janë takimet ku ka më së shumti përfaqësues të qytetarëve, e rrjedhimisht edhe temat që trajtohen janë të dobishme dhe kanë në fokus përmirësimin e jetës së qytetarëve”, theksoi ai.
Kryeministri shtoi tutje se lajm i mirë është se buxheti për komuna për vitin 2024 është rritur.
“Buxheti i përgjithshëm komunal arrin vlerën 742 milionë euro, 200 milionë euro më shumë për komuna gjatë kësaj qeverie, sesa në qeverisjet e kaluara”, tha ndër tjera ai.
Kurti tha se qeverisja lokale e ka vëmendjen e nivelit qendror por edhe financat që pritet të konkretizohen mes bashkëpunimit të tyre.